Është ekstraduar drejt Britanisë 24 vjeçari Elton Sefa.
Sefa ka qenë i dënuar në Britaninë e Madhe për vrasjen e punëdhënësit të tij në Londër John Woodëard. Sefa u arrestua në datë 2 mars të vitit të kaluar me qëllim ekstradimin drejt Anglisë.
Avokatët e tij kishin kundërshtuar vendimin e Gjykatës së shkallës së parë të Durrësit për ekstradimin me arsyetimin se 24 vjecari ishte i papërgjegjshëm mendërisht me një diagnozë të çrregullimit psikotik.
Por me sa duket ka humbur tashmë betejën ligjore për ekstradimin.
Sipas interpol Tiranës ky është ekstradimi i parë që kryhet nga Shqipëria drejt Britanisë sipas marrëveshjes së arritur mes dy shteteve.
Njoftimi i Interpol Tiranës:
“Ekstradohet drejt Britanisë së Madhe 24-vjeçari shqiptar, i kërkuar nga drejtësia për vrasje.
Falë shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve dhe bashkëpunimit me Interpol Tiranën, autoritetet britanike dhe Ambasadën Britanike në Tiranë, si dhe mbështetur në Konventën Evropiane të Ekstradimit, marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut, që plotëson Konventën e mësipërme, hyrë në fuqi në datë 19.07.2018 , për herë të parë është kryer ekstradimi nga Shqipëria drejt Anglisë i një shtetasi shqiptar, i kërkuar për vrasje.
Ekstradohet në Mbretërinë e Bashkuar shtetasi E. S., 24 vjeç, banues në Durrës.
Shtetasi E. S., më datë 17.04.2018, rreth orës 14:30 ka sulmuar pronarin ku punonte, shtetasin J. W., duke i shkaktuar atij vdekjen.
Pas kryerjes së vrasjes, E. S. është larguar nga territori i MB-së dhe është arrestuar në Shqipëri, me qëllim ekstradimi drejt Anglisë.
Ekstradimi i këtij shtetasi është bazuar në urdhrin që mban datën 05.01.2018, të Gjykatës së Magjistratëve në Westminster, Mbretëri e Bashkuar, pasi nga kjo Gjykatë është caktuar masë sigurimi “Arrest në burg “ për këtë shtetas, për veprën penale “Vrasja”, parashikuar nga legjislacioni penal britanik.
Ky shtetas ka bërë rekurs ndaj vendimit të lejimit të ekstradimit në shtetin britanik, por Kolegji Penal ka rrëzuar kërkesën e tij dhe është lejuar ekstradimi drejt Mbretërisë së Bashkuar”./abcnews.al