Kina duket se është e para superfuqi ekonomike që kërkon të përfitojë nga ngrohja globale. Duke qenë se akujt po shkrijnë, Pekini po sheh mundësinë e krijimit të rrugës së mëndafshit në Arktik.
Qeveria kineze ka njoftuar planet e saj për krijimin e akseve detare nëpër Arktik, për të ndërtuar Rrugën Polare të Mëndafshit. Në një njoftim zyrtar thuhet se Kina mund të punojë ngushtë me Rusinë dhe vende të tjera arktike për të krijuar shtigjet ujore.
Bëhet fjalë për një plan të madh e ambicioz të Pekinit për të transformuar lidhjet tokësore dhe detare të Kinës me Europën dhe kontinente të tjera. Iniciativa 1 miliard dollarëshe e presidentit Xi Jinping, e njohur si “Brezi dhe Rruga”, synon rindërtimin e shumicës së infrastrukturës portuale, rrugore dhe hekurudhore të Euroazisë, duke e kthyer Kinën në qendër të saj.
“Kina shpreson të punojë me të gjitha palët për të ndërtuar rrugë lundrimi në Arktik. Çdo vendi duhet t’i garantohet e drejta për të përdorur këto akse”, thuhet në gazetën zyrtare të qeverisë.
Ngrohja globale, që po sjell shkrirjen e akujve, po i ofron botës mundësi të reja biznesi. Gushtin e kaluar, një çisternë ruse udhëtoi nga Norvegjia në Korenë e Jugut, e pashoqëruar nga asnjë akullthyese./abcnews.al