Real Madrid triumfoi në Superkupën e Spanjës, pasi mundi skuadrën e Atletico Madrid pas gjuajtjes së penalltive. Kapiteni Sergio Ramos vë në shënjestër një rekord të ri, që do ta bënte atë lojtarin me më shumë trofe me fanellën e klubit spanjoll.
“Jam më i vjetër tani dhe jam më i duruar. Në aspektin personal është një ditë speciale për mua. Kur trofetë vijnë në vitet e fundit të karrierës, ju e shihni diçka të tillë në një mënyrë tjetër. Është një sfidë për mua fakti që jam dy trofe pas lojtarit që ka më shumë në historinë e Realit. Shpresoj të arrij të bëhem lojtari me më shumë trofe”, ka deklaruar Ramos.
Mbrojtësi flet sërish për trofetë, që janë edhe arsyeja pse Real Madrid është klubi më i madh në botë. “Trofetë flasin më shumë se fjalët. Reali është klubi më i madh dhe më i suksesshëm në botë dhe kjo ndodh sepse ka fituar përgjatë gjithë historisë, brez pas brezi. Kjo është arsyeja pse Real Madrid është kaq i madh”, shton spanjolli.
Më pas Ramos komentoi edhe kartonin e kuq të marrë nga mesfushori Valverde, i cili ndaloi në mënyrë të parregullt sulmuesin Alvaro Moratta. Mbrojtësi thekson se çdo lojtar do e bënte diçka të tillë: “Mendoj se çdo lojtar i skuadrës tonë do e kishte bërë të njëjtën në atë situatë. Është një lëvizje kyçe për ta ndaluar kundërshtarin”.
I ngacmuar nëse e kishin bërë me fjalë që Ramos të gjuante penalltinë fituese, ai e hedh poshtë diçka të tillë dhe zbulon një prapaskenë. “Gjithmonë marr përsipër të gjuaj penalltinë e katërt. Është thjesht fiksim, jo sepse ishte llogaritur që do të merrja penalltinë fituese.
Kisha planifikuar të realizoja me ‘panenka’, por e kisha copë kyçin e këmbës dhe nuk mund të bëja shumë hapa të vegjël prej kësaj. Isha pak i frikësuar, pasi me kalimin e kohës dhimbja u bë më e madhe. Por kur je në lojë e harron dhimbjen. Shpresoj të mos kërkojë shumë kohë të rikuperohet, pasi tani e kam copë”, u shpreh Ramos. /abcnews.al