Dy histori pavarësie, dy kombe dhe figura që hodhën themelet e shteteve të tyre. Këto janë pikat që bashkojnë Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ekspozitën artistike “Agimi i Pavarësisë, Vlora dhe Etërit e Kombit”, e çelur në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë.
Pas kësaj ideje qëndron një piktor amerikan, i cili gjatë vizitave në Shqipëri ka zbuluar ngjashmëri mes historisë së dy vendeve. Pikërisht kjo lidhje e ka frymëzuar të sjellë ekspozitën në qytetin ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë.
“Vendosa ta realizoj këtë ekspozitë në Vlorë, pasi gjatë vizitave të mia si turist dhe eksplorimit të trashëgimisë kulturore, vura re se historia e pavarësisë së Shqipërisë ka shumë pika të përbashkëta me atë të Amerikës. Shqiptarët kanë etërit e tyre themelues, ashtu siç edhe amerikanët kanë etërit themelues të kombit të tyre. Kjo ngjashmëri më frymëzoi për këtë ekspozitë. Më pëlqen shumë Vlora, koha, njerëzit, ushqimi, gjithçka në këtë qytet. Do të qëndroj këtu përgjatë gjithë muajit nëntor”, tha piktori.
Ekspozita është pjesë e programit kulturor që Muzeu Kombëtar i Pavarësisë ka parashikuar për këtë muaj. Drejtoresha e institucionit, Kozeta Lilli, thotë se aktivitetet synojnë të sjellin më shumë publik dhe vizitorë.
“Kjo është vetëm një nga ekspozitat dhe aktivitetet që kemi planifikuar të zhvillojmë përgjatë gjithë muajit nëntor në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë. Kemi menduar një program të larmishëm aktivitetesh për publikun dhe vizitorët. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për një javë, për t’i lënë më pas vend aktiviteteve të tjera të parashikuara në kalendarin tone”, tha Kozeta Lilli.
Përmes kësaj ekspozite, Muzeu i Pavarësisë sjell një tjetër dimension të kujtesës historike, duke vendosur në dialog artistik dy histori kombëtare dhe duke e kthyer Vlorën, në muajin e Pavarësisë, në një hapësirë të rëndësishme të aktiviteteve kulturore.


