FIER – Atmosfera festive ka përfshirë edhe qytetin e Fierit mbrëmjen e 28 Nëntorit, ku dhjetëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të festuar Ditën e Pavarësisë në një mënyrë të veçantë.
Me makinat e zbukuruara me flamuj kombëtarë, simbole kuqezi dhe elemente patriotike, qytetarët kanë krijuar një paradë festive në akset kryesore të qytetit, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe duke sjellë një atmosferë të veçantë në rrugët e Fierit.
Flamujt shqiptarë që valëviteshin mbi automjete, boritë dhe ngjyrat kuqezi e kthyen mbrëmjen në një festë të vërtetë patriotike, ku dashuria për flamurin dhe krenaria kombëtare u shfaqën në çdo cep të qytetit.
28 Nëntori, një nga datat më të rëndësishme të historisë shqiptare, është festuar kështu edhe këtë vit në Fier, me qytetarë që zgjodhën të shprehin krenarinë e tyre jo vetëm përmes festimeve tradicionale, por edhe duke e kthyer rrugëtimin me makina në një paradë kuqezi.


