Eksperti për marrëdhënieve ndërkombëtare Emilio Çika, në “News Line” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, duke vlerësuar mbështetjen ekonomike dhe politike të Bashkimit Evropian për Shqipërinë.
Çika veçoi dy mesazhe të rëndësishme nga samiti, duke përmendur vitin 2028 si një objektiv për firmosjen e traktatit të anëtarësimit, si dhe vlerësimin që Brukseli i ka bërë rezultateve ekonomike dhe politike të Shqipërisë.
Sipas ekspertit, Shqipëria po përfiton një mbështetje të konsiderueshme ekonomike nga Bashkimi Evropian, por fondet janë të kushtëzuara nga përmbushja e reformave dhe kërkesave të përcaktuara nga Brukseli.
Ai theksoi se kushtëzimet lidhen kryesisht me integrimin ekonomik të Shqipërisë, hapjen e tregut dhe përfshirjen e bizneseve shqiptare në tregun e përbashkët evropian.
Çika u ndal edhe te viti 2027, i cili sipas tij konsiderohet si objektiv për përmbylljen e negociatave dhe kapitujve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kohezionit gjatë këtij procesi.
“Ballkani Perëndimor është vendosur në qendër të Samitit Evropian. Nga mesazhet do të veçoja atë të vitit 2028, që është një premtim domethënës, pasi mund të kemi firmosjen e traktatit të anëtarësimit. Tjetra është vlerësimi nga Brukseli i rezultatit të ekonomisë dhe vlerësimi tjetër është ai politik.
Kemi një mbështetje ekonomike mjaft të madhe për Shqipërinë. Janë para të cilat duhet thënë se do të shkojnë me kushtëzime për Shqipërinë dhe po vijnë pas kushteve që ka vendosur BE-ja, kushte që kanë të bëjnë me integrimin ekonomik të Shqipërisë, të tregut dhe të bizneseve shqiptare, si dhe me hyrjen e bizneseve shqiptare në tregun e Bashkimit Evropian.
Viti 2027 merret si kusht për përmbylljen e negociatave dhe kapitujve, por është shumë e rëndësishme mbajtja e kohezionit. Megjithatë, janë vendet anëtare ato që japin dakordësinë përfundimtare”, tha ai.
/abcnews.al/


