Kryeministri i vendit, Edi Rama, në fjalën e tij, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili po zhvillon punimet në Tiranë, ku ka theksuar rëndësinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe përgjegjësinë e përbashkët të vendeve të rajonit për të ardhmen evropiane.
Rama u shpreh se zgjerimi është një “bekim” jo vetëm për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për vetë Bashkimin Evropian.
“Dua ta mbyll duke theksuar bindjen time të fortë se është bekim për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet e ulura rreth kësaj tryeze të kenë Bashkimin Evropian. Jo vetëm si një horizont, por si një bashkudhëtar të ngushtë në një rrugë transformimi dhe shtetndërtimi, që në të kundërt do të kishte qenë e pamundur për ne, për shkak të traditës shumë të varfër të shtetit dhe të institucioneve prej nga vijmë.
Sikur një ditë të më thërrisnin që të numëroja bekimet e Bashkimit Evropian, në fakt do të sfidoja gjithkënd që të më ndalte së foluri për orë të tëra, e ndoshta edhe për ditë të tëra, për të. Dhe pa asnjë lloj ideje për të bërë qejfin, por pikërisht për të thënë atë çfarë na sjell të punuarit së bashku e ngushtë me Bashkimin Evropian dhe për të kuptuar se sa përfitime ka, së pari e mbi të gjitha, për dijen e paçmuar që na transferohet për ndërtimin e institucioneve, sepse në fund të fundit gjithçka ka të bëjë me institucionet”, tha Rama.
Kryeministri shqiptar shprehu gjithashtu mirënjohjen për komisioneren evropiane Marta Kos, për angazhimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor.
“Duke ditur se e ardhmja jonë evropiane është një përgjegjësi e përbashkët rajonale, jemi këtu që të flasim hapur, të shkëmbejmë pikëpamjet tona dhe të vendosim stekën për vitin e ardhshëm. Thënë të gjitha këto, dua tashmë t’i jap fjalën Komisioneres Kos e ta falënderoj atë për angazhimin e jashtëzakonshëm ndaj Ballkanit Perëndimor, ta falënderoj që ka qenë një zë i fortë në emrin tonë, dhe ta falënderoj që është një zë i fortë në emër të BE-së kur bëhet fjalë të na thotë si të rrimë drejt e të mos bëjmë lëvizje që mund të sjellin pasoja në vonesë. Kështu që e dashur Marta, faleminderit për gjithçka”, u shpreh Rama.



