TIRANË- Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e pranishme në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë vit si një periudhë me zhvillime të rëndësishme.
Gjatë fjalës së saj, Kos theksoi se Shqipëria ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm në rrugën drejt BE-së, ndërsa shprehu pritshmërinë që një e katërta e të gjithë kapitujve të negociatave të mbyllen brenda këtij viti.
Ajo vlerësoi gjithashtu reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe nënvizoi rëndësinë e vijimit të përpjekjeve për avancimin e procesit të integrimit.
“BE-ja na ka sjellë shumë gjëra ne sllovenëve, por na ka sjellë edhe një gjë që e kemi fort për zemër: hapësirën për dialog, për paqe, për liri dhe begati.
Ky Këshill, ku ndodhem sot, përfaqëson pikërisht atë që nevojitet për të ndjekur dhe çuar përpara rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.
Ky vit ka sjellë përparim të jashtëzakonshëm të Shqipërisë drejt BE-së. Presim që një e katërta e të gjithë kapitujve të negociatave të mbyllen brenda këtij viti. Keni ndërmarrë reforma të rëndësishme. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë!”, tha ajo.



