Ukraina ka shënuar një sukses të ri në zhvillimin e teknologjisë ushtarake, pasi për herë të parë ka arritur të rrëzojë një dron rus me motor reaktiv duke përdorur një sistem laserik të mbrojtjes ajrore.
Lajmin e bëri të ditur Serhiy Beskrestnov, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për zhvillimin e teknologjive të mbrojtjes, i njohur edhe me nofkën “Flash”.
Sipas tij, droni rus i tipit Geran u shkatërrua nga sistemi laserik Blysk, i zhvilluar nga kompania ukrainase Carmine Sky. Sistemi ishte vendosur për mbrojtjen e një objekti të infrastrukturës kritike në Ukrainë.
Beskrestnov publikoi edhe një video që paraqet momentin e goditjes së dronit, duke pretenduar se ky është rasti i parë në botë kur një armë laserike arrin të shkatërrojë një dron sulmues me motor reaktiv.
Zhvillimi është veçanërisht i rëndësishëm për Ukrainën, pasi dronët me motor reaktiv janë më të shpejtë dhe më të vështirë për t’u interceptuar sesa modelet tradicionale me helikë.



