Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Samiti i Investimeve: Biznesi pret marrëveshje të reja/ Industria, prodhimi dhe teknologjia në fokus të investitorëve

schedule14:19 - 25 Nëntor, 2026

schedule 14:19 - 25 Nëntor, 2026

TIRANË- Biznesi shqiptar vlerëson se Konferenca e Investimeve e mbajtur në Tiranë i jep një peshë të rëndësishme vendit jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë në thithjen e më shumë investimeve.

Sipas Arben Shkodrës, sekretar i Shoqatës së Prodhuesve, ajo krijon ura të drejtpërdrejta komunikimi edhe përmes investitorëve, duke kaluar nga potenciali që ofron rajoni te bashkëpunimet konkrete në investime.

“Ka kompani, të cilat tashmë kanë kaluar fazën e njohjes dhe janë në fazën le të themi, të arritjes së marrëveshjeve të caktuara. Qeveritë duhet të jenë këtu pikërisht për ta mbikëqyrur këtë proces, për ta bërë sa më të thjeshtë për ndërmarrjet dhe për bizneset.



Dhe unë mendoj që ky është momenti i duhur, dhe si këto konferenca duhet të ketë jo vetëm çdo vit, por duhet të ketë pse jo dhe dy herë në vit në vende të ndryshme të rajonit, me qëllim që neve të fillojmë të shkëmbejmë pikërisht këtë lloj eksperience dhe këto mundësi”, tha ai.

Shqipëria ofron një gamë të gjerë sektorësh potencialë për thithjen e investimeve të huaja, veçanërisht nga vendet e Bashkimit Europian. Duhet kaluar përtej turizmit e ndërtimit. Shkodra thekson se interes ka edhe për bujqësinë dhe teknologjinë.

“Industria duhet të fillojë dhe të marrë peshën e vetë. Nga ana tjetër, duhet të fillojmë dhe të kuptojmë që teknologjia, inovacioni, gjithçka që po ndodh në inteligjencën artificiale e të tjera e të tjera, duhet të fillojë të bëhet pjesë e agjendës tonë.

Dhe së fundmi, unë mendoj që me pozicionin gjeografik që ne kemi, me investimet e rëndësishme që po bëjmë në infrastrukturë, duhet të fillojmë të mendojmë thellësisht për një sektor i cili duhet të fillojë dhe të dalë në pah, që është logjistika. Shqipëria mund t’i shërbejë rajonit me logjistikë, por ne duhet të fokusohemi për të investuar dhe për ta thjeshtuar, në mënyrë që operatorët të fillojnë dhe të qasen me këtë sektor.

Pastaj bujqësia, e cila do t’i shërbejë prodhimit, është thjesht pjesë e zinxhirit, dhe unë them që një nga gjërat që na ka falur natyra është mundësia për të pasur bujqësi në mënyrë të qenësishme”, tha ai.

Ndërkohë, investitorët e huaj e shohin Shqipërinë si një vend mjaft interesant për të realizuar projekte sidomos në teknologji.

“Jam sot për herë të parë në Shqipëri dhe vij nga Estonia. Ky forum i rëndësishëm për të ndërtuar kontakte dhe për të lidhur marrëveshje konkrete. Shqipëria ka potenciale të konsiderueshme për të investuar, sidomos në teknologji”, tha ai.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!