Këngëtarja amerikane Miley Cyrus ka kurorëzuar në martesë lidhjen e saj me muzikantin Maxx Morando. Çifti i ka thënë “po” njëri-tjetrit të shtunën, më 21 nëntor, gjatë një ceremonie private të mbajtur në Palm Springs, Kaliforni. Artistja 33-vjeçare dhe partneri i saj 28-vjeçar e kanë ndarë këtë moment të veçantë me familjarët dhe rrethin e tyre më të ngushtë shoqëror.
Sipas informacioneve të publikuara nga “Entertainment Tonight”, në dasmë ishin të pranishëm disa prej njerëzve më të rëndësishëm të familjes Cyrus, mes tyre nëna e këngëtares, Tish, motra Noah, si dhe babai i saj, Billy Ray Cyrus. Ky i fundit dhe Miley kanë pasur një marrëdhënie të distancuar për disa vite.
Pamjet e publikuara nga ceremonia zbuluan një atmosferë intime dhe romantike. Dasma u organizua pranë një pishine, ndërsa ambienti ishte zbukuruar me një hark të dekoruar me lule të bardha.
Për ditën e saj të madhe, Miley kishte zgjedhur një fustan nusërie me linja elegante dhe stil minimalist, i cili vinte në pah shpinën e zbuluar. Ajo kishte preferuar gjithashtu një model flokësh të mbledhur topuz. Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Maxx, ishte veshur me një kostum klasik të zi.
Një prej çasteve më prekëse ishte leximi i betimeve martesore nga Morando. Fjalët e tij emocionuan këngëtaren, e cila nuk mundi t’i përmbante lotët dhe u pa duke fshirë sytë gjatë momentit kur partneri i shprehte dashurinë.
Festimet kishin nisur që një natë më parë. Më 20 nëntor, Miley dhe Maxx organizuan një darkë të veçantë për familjarët dhe miqtë e tyre. Disa fotografi nga mbrëmja u shpërndanë në Instagram Stories nga Lily Rose Purcell, motra e këngëtares nga ana e njerkut. Në një prej imazheve u dallua edhe menuja e darkës, e personalizuar me inicialet “M+M”, që përfaqësojnë emrat e çiftit.
Nga fejesa në Kioto te dita e martesës
Lajmi për fejesën e Miley Cyrus dhe Maxx Morandos ishte bërë publik rreth një vit më parë. Konfirmimi erdhi nga një burim për revistën “People”, më 2 dhjetor 2025, një ditë pasi këngëtarja ishte fotografuar me një unazë diamanti në gisht gjatë premierës botërore të filmit “Avatar: Fire and Ash”, në Los Angeles.
Detaje mbi mënyrën se si kishte ndodhur propozimi u zbuluan më vonë nga vetë Morando, gjatë një interviste për revistën “Wonderland”, në muajin korrik. Muzikanti tregoi se kishte zgjedhur Japoninë për t’i kërkuar Miley-t të martoheshin, më konkretisht qytetin e Kiotos, një vend që të dy kishin dëshiruar prej kohësh ta vizitonin.
Organizimi i surprizës nuk kishte qenë aspak i lehtë për të, pasi çifti kishte diskutuar më parë rreth mundësisë së martesës dhe këngëtarja kishte filluar të dyshonte se partneri po përgatiste një hap të rëndësishëm në marrëdhënien e tyre.
Pas disa ditësh të kaluara në Tokio, ata u nisën drejt Kiotos. Morando kishte vendosur ta ruante sekretin deri në çastin e fundit, duke zgjedhur për propozimin një kopsht të vogël japonez, me një pamje që të kujtonte pyjet tradicionale të vendit.
Momenti erdhi teksa Miley ishte duke filmuar peizazhin dhe kishte kthyer shpinën. Në atë çast, muzikanti u ul në gjunjë dhe e preku lehtë në shpatull për t’i bërë pyetjen që do të shënonte fillimin e një kapitulli të ri në jetën e tyre.
Duke kujtuar atë ditë, Morando tregoi se emocionet e kishin pushtuar plotësisht. Ai pranoi se ishte jashtëzakonisht nervoz, zemra i rrihte fort dhe po djersinte, ndërsa një prej shqetësimeve të tij ishte edhe mundësia që unaza t’i binte nga duart.
Një lidhje që nisi në vitin 2021
Historia e dashurisë mes Miley Cyrus dhe Maxx Morandos daton që nga dhjetori i vitit 2021. Njohja e tyre kishte ardhur përmes miqve të përbashkët, të cilët kishin organizuar takimin e parë mes tyre.
Në maj të vitit 2023, gjatë një interviste për “British Vogue”, këngëtarja kishte rrëfyer me humor se takimi e kishte zënë disi të papërgatitur, ndërsa për Maxx-in situata nuk kishte qenë krejtësisht e papritur.
Marrëdhënien e bënë publike në prill të vitit 2022, kur u fotografuan duke shkëmbyer një puthje gjatë një daljeje në West Hollywood.
Për Miley Cyrus, martesa me Maxx Morandon shënon martesën e dytë. Më parë, këngëtarja ka qenë e martuar me aktorin Liam Hemsworth. Ata u martuan në dhjetor të vitit 2018, por marrëdhënia përfundoi me ndarje në vitin 2019. Divorci i tyre u finalizua zyrtarisht në janar të vitit 2020.



