Italia ka dhënë miratimin paraprak për sistemin e drejtimit të asistuar të kompanisë amerikane Tesla, TAD, duke u bërë vendi i parë i madh i Bashkimit Evropian që miraton këtë teknologji. Lajmi u bë i ditur nga ministri italian i Transportit, Matteo Salvini, sipas mediave të huaja.
Përmes një postimi në platformën X, Salvini e cilësoi vendimin si “një tjetër hap përpara drejt inovacionit, teknologjisë dhe lëvizshmërisë së së ardhmes”.
Ministri bëri të ditur se miratimi erdhi pas një vlerësimi të hollësishëm të fizibilitetit teknik, ndërsa procesi i miratimit në nivel të Bashkimit Evropian vijon ende.
Vendimi u përshëndet edhe nga drejtori ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, i cili iu përgjigj postimit të Salvinit me një mesazh falënderimi: “Faleminderit, e vlerësoj shumë!”.
Sistemi TAD, i njohur më parë si Full Self-Driving (FSD), është një teknologji e drejtimit të asistuar që funksionon sipas parimit “duart larg timonit, sytë te rruga”.
Teknologjia i mundëson automjetit të kryejë në mënyrë të automatizuar manovrat e drejtimit, por kërkon mbikëqyrje të vazhdueshme nga drejtuesi i mjetit. Shoferi duhet të qëndrojë pas timonit, të mbajë vëmendjen te rruga dhe të jetë i gatshëm të ndërhyjë në çdo moment.
Italia nuk është vendi i parë i BE-së që ka miratuar këtë sistem. Pas miratimit fillestar në Holandë në muajin prill, teknologjia është njohur edhe në Lituani, Estoni, Danimarkë dhe Belgjikë.
Këto miratime i kanë mundësuar Tesla-s të zgjerojë praninë e saj në tregun evropian përpara një vendimi më të gjerë në nivel të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, Tesla konfirmoi gjithashtu miratimin paraprak në Itali përmes një postimi në platformën X, ku publikoi edhe një video të filmuar nga brenda një automjeti të kompanisë, i cili lëvizte në rrugët e Romës me sistemin TAD të aktivizuar.



