Në 118 vjetorin e Kongresit të Manastirit Korça sjell në kujtesë kontributin e 12 përfaqësuesve të saj në një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë kombëtare, që hodhi themelet e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe.
Në kuadër të Ditës së Alfabetit, Këshilli i Qarkut të Korçës organizoi një aktivitet historik dhe ekspozitë kushtuar këtyre figurave, duke prezantuar dokumente, fotografi, libra, gazeta, dorëshkrime dhe botime të rralla, që dëshmojnë kontributin e tyre jo vetëm në Kongresin e Manastirit, por edhe në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare.
Mes materialeve të ekspozuara është teksti i parë i fizikës në gjuhën shqipe, botuar në vitin 1899 nga Gjergj Qiriazi, abetarja e Parashqevi Qiriazit e vitit 1909, e përgatitur pas Kongresit të Manastirit, si dhe botime të tjera me rëndësi historike.
Vëmendje të veçantë zënë edhe botimet e delegatit Thoma Avrami, përfshirë revistën pedagogjike dhe letrare “Përlindja aresimore”, të vitit 1922, ndërsa nga Sotir Peci prezantohet botimi i vitit 1912, “Viti premtar i gramatikës”.
Një hapësirë të rëndësishme zënë edhe botimet e Mihal Gramenos, mes tyre gazeta “Koha”, si dhe krijimtaria e tij letrare, me romanin dramatik “Oxhaku”, dhe vepra të tjera si “E puthura”, “Varr i pagëzimit” dhe “Mallkimi i gjuhës shqipe”.
Historiani Niko Kotherja, i cili ka hulumtuar dhe mbledhur materialet për ekspozitën, thekson se përfaqësimi i Korçës me 12 delegatë në Kongresin e Manastirit është një veçanti historike. Një pjesë e dokumenteve dhe fotografive janë të panjohura për publikun dhe janë siguruar përmes koleksioneve private, kërkimeve në Shqipëri dhe kontakteve me pasardhësit e delegatëve që jetojnë jashtë vendit.
Një vend të veçantë në ekspozitë ze edhe figura e Mihal Gramenos, një nga emrat e rëndësishëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Për familjen e tij, kujtimi dhe trashëgimia patriotike janë përcjellë brez pas brezi.
Lirika Bicolli, e afërme e Mihal Gramenos, sjell kujtime familjare përmes rrëfimeve të të parëve, duke veçuar edhe figurën e nënës së Gramenos.
Ndërsa, Presidenti Bajram Begaj ka festuar Ditën e Alfabetit me përfaqësues të Shoqatës “Tomorri”, në 120-vjetorin e krijimit të saj. Begaj vlerësoi kontributin e shoqatës në ruajtjen e kulturës dhe identitetit kombëtar, si dhe lidhjen e saj historike me figura të Rilindjes Kombëtare, mes tyre Mid’hat Frashëri.



