Kryeministri britanik Andy Burnham e cilësoi si “fitimprurëse për të dyja palët” marrëveshjen e arritur në Samitin Britani-Bashkimi Evropian (BE), duke thënë se ajo pasqyron kërkesën e opinionit publik për lidhje më të ngushta me bllokun pas vitesh pasigurie të shkaktuara nga “Brexit”.
Duke folur në Bruksel pas takimit, Burnham tha se marrëveshja shënon “një ditë të mirë për Britaninë dhe një ditë të mirë për Evropën”, duke pohuar se marrëdhëniet aktuale me BE-në nuk po funksionojnë në mënyrë efektive.
“Marrëveshja që kemi arritur së bashku është fitimprurëse për të dyja palët dhe përputhet me opinionin publik në Mbretërinë e Bashkuar. Njerëzit e shohin se status quo-ja nuk po funksionon. Ajo nuk është e mjaftueshme për Britaninë”, tha ai.
Duke iu referuar sondazheve që tregojnë se tre të katërtat e britanikëve mbështesin lidhje më të ngushta me BE-në, Burnham tha se qytetarët kërkojnë një marrëveshje më të mirë se ajo që ka aktualisht Mbretëria e Bashkuar pas Brexitit.
“Ata duan marrëveshje më të mirë se Brexiti i ashpër me të cilin përfunduam. Dhe sot, së bashku, e kemi arritur këtë marrëveshje më të mirë”, shtoi ai. Burnham tha se marrëveshja mund të ndihmojë në uljen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe lehtësimin e barrës mbi familjet, duke ulur kostot që lidhen me eksportet.
Kryeministri britanik theksoi mundësitë për uljen e kostove të energjisë elektrike përmes bashkëpunimit më të ngushtë me BE-në. Sa i përket ndikimit ekonomik, Burnham tha se vlerësimet e Thesarit britanik sugjerojnë se marrëveshja mund të rrisë Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të vendit deri në 0,5 për qind, ose rreth 17 miliardë paundë.
Ai e përshkroi marrëveshjen si masën e vetme më të madhe për nxitjen e rritjes ekonomike që qeveria mund të ndërmarrë gjatë legjislaturës aktuale, duke shprehur besimin se ajo do të sjellë përfitime konkrete ekonomike. Burnham tha se qeveria bëri mirë që e shfrytëzoi këtë mundësi, duke theksuar se marrëveshja do të sjellë përfitime praktike për qytetarët dhe bizneset në Britani dhe në Evropë.



