Franca do të zgjerojë mbikëqyrjen e fushatës zgjedhore edhe te krijuesit më të mëdhenj të përmbajtjeve në internet, përfshirë YouTuber-ët dhe influencerët, me qëllim garantimin e pluralizmit dhe trajtimit të balancuar të kandidatëve përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027. Vendimi është bërë i ditur nga autoriteti francez për rregullimin e medias audiovizive dhe komunikimeve digjitale, Arcom, i cili njoftoi se do të monitorojë përmbajtjet politike të publikuara nga krijuesit më me ndikim në platformat online. Kjo nismë vjen në një kohë kur YouTube dhe rrjetet e tjera sociale janë kthyer në burime të rëndësishme informacioni politik, veçanërisht për audiencat e reja, ndërsa disa krijues përmbajtjesh kanë arritur të kenë një ndikim dhe audiencë më të madhe se mediat tradicionale.
Sipas presidentit të Arcom, bëhet fjalë për një fenomen të ri, që ka marrë përmasa të mëdha dhe që nuk mund të lihet jashtë rregullave që zbatohen për mediat tradicionale. Mbikëqyrja nuk do të përfshijë të gjithë influencerët që përfshihen në çështje politike apo mbulim të fushatës presidenciale. Ajo do të përqendrohet te krijuesit e mëdhenj të përmbajtjeve që trajtojnë rregullisht çështje me interes publik, si politika, ekonomia, aktualiteti dhe çështjet sociale, si dhe kanë një audiencë të konsiderueshme. Për këtë vlerësim, Arcom do të marrë parasysh tre kritere: natyrën e përmbajtjeve, ndikimin te publiku dhe rregullsinë e publikimeve.
Sipas rregullave të bëra publike nga autoriteti francez, krijuesit e përmbajtjeve që përfshihen në këtë skemë do të duhet të garantojnë një trajtim të drejtë të kandidatëve gjatë fushatës presidenciale. Nga 16 marsi deri më 4 prill 2027, koha dhe ekspozimi që u kushtohen kandidatëve duhet të jenë në përpjesëtim me përfaqësimin e tyre politik. Ndërsa nga 5 prilli, do të zbatohet parimi i barazisë, që nënkupton se të gjithë kandidatët duhet të kenë të njëjtën kohë dhe kushte të krahasueshme ekspozimi.
Kjo do të thotë se nuk do të mjaftojë vetëm numërimi i minutave që një kandidat shfaqet në një video. Autoriteti do të marrë parasysh edhe mënyrën e prezantimit, kohëzgjatjen, titullin, pozicionimin dhe promovimin e videos.
Gjithashtu, krijuesit e përmbajtjeve do të duhet të respektojnë standardet e saktësisë dhe ndershmërisë në raportimin e zhvillimeve elektorale, duke shmangur shtrembërimin e deklaratave apo qëndrimeve të kandidatëve. Rregullat parashikojnë gjithashtu ndalimin e reklamave politike me pagesë gjatë periudhës së përcaktuar nga legjislacioni zgjedhor francez.
Arcom ka bërë të ditur se do të nisë fillimisht me dialogun me krijuesit e përmbajtjeve dhe do të ndërhyjë në rastet kur konstatohen shkelje të dukshme dhe të përsëritura, që mund të ndikojnë në debatin publik.
Nisma ka hapur debat në Francë, pasi disa krijues përmbajtjesh kanë shprehur shqetësime për zbatimin e të njëjtave rregulla si ato që vlejnë për televizionet dhe radiot. Nga ana tjetër, Arcom argumenton se ndikimi i madh i këtyre platformave në formimin e opinionit publik, veçanërisht te të rinjtë, e bën të nevojshme garantimin e pluralizmit politik edhe në hapësirën digjitale. Zgjedhjet presidenciale në Francë do të mbahen më 18 prill dhe një raund i dytë i tyre është parashikuar për 2 maj./abcnews.al



