Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Forcat e mbështetura nga Arabia Saudite tërhiqen nga zona strategjike në Jemen, Huthit marrin kontrollin e Ngushticës së Bab al-Mandabit

schedule09:54 - 16 Nëntor, 2026

schedule 09:54 - 16 Nëntor, 2026

Forcat pro-qeveritare të Jemenit, të mbështetura nga Arabia Saudite, janë tërhequr nga një zonë strategjike pranë Ngushticës së Bab al-Mandabit, duke ia lënë kontrollin rebelëve Huthi, të mbështetur nga Irani.

Ushtria jemenase njoftoi se po zhvendos trupat nga kjo zonë e rëndësishme në jug të Detit të Kuq, për të përforcuar mbrojtjen e qytetit të Adenit, i cili shërben si kryeqytet i përkohshëm i vendit.

Tërheqja i jep fund një operacioni ushtarak disa-javor, që kishte për qëllim rimarrjen e kontrollit të zonës nga rebelët Huthi. Këta të fundit e pushtuan territorin gjatë një sulmi të befasishëm në shtator, duke shkaktuar shqetësime për transportin ndërkombëtar detar dhe eksportet globale të naftës.



Mediat e kontrolluara nga Huthit raportuan të dielën se rebelët kishin marrë sërish kontrollin e territorit, ndërsa Arabia Saudite nuk ka reaguar ende zyrtarisht.

Në deklaratën e tyre, Forcat e Armatosura Jugore bënë të ditur se trupat po tërhiqeshin nga aeroporti i Dhubabit dhe zona e Bab al-Mandabit, me qëllim përforcimin e vijave të frontit dhe përballimin e kërcënimeve të tjera. Sipas tyre, mbrojtja e Adenit dhe e provincave përreth është kthyer në përparësinë kryesore.

Ngushtica e Bab al-Mandabit është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, pasi lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe Oqeanin Indian. Çdo ndërprerje e lundrimit në këtë zonë mund të ketë pasoja të mëdha për tregtinë ndërkombëtare dhe furnizimin me naftë.

Rebelët Huthi kanë deklaruar se nuk përbëjnë kërcënim për anijet ndërkombëtare që kalojnë nëpër ngushticë, por kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të godasin anijet që lidhen me Arabinë Saudite.

Situata ka shtuar shqetësimet për tregjet ndërkombëtare të energjisë, veçanërisht pasi Arabia Saudite është mbështetur te portet e Detit të Kuq për eksportin e naftës, pas ndërprerjes së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit për shkak të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Ndërkohë, luftimet në Jemen kanë shkaktuar pasoja të rënda për popullsinë civile. Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje që të gjitha palët të shmangin sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile. Sipas të dhënave të OKB-së, më shumë se 60% e viktimave civile të dokumentuara që nga përshkallëzimi i luftimeve në gusht janë gra dhe fëmijë.

Gjatë javëve të fundit, rebelët Huthi kanë sulmuar disa herë qytetin e Adenit. Në një sulm më 15 tetor, u godit edhe pallati presidencial, ku mbetën të vrarë pesë persona dhe u plagosën 16 të tjerë.

Në kundërpërgjigje, Arabia Saudite ndërmori qindra sulme ajrore, ndërsa Huthit lëshuan qindra dronë dhe raketa drejt qyteteve dhe objekteve strategjike saudite.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, përshkallëzimi i konfliktit ka detyruar rreth 330 mijë persona të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa qindra të tjerë raportohet se janë vrarë.

Jemeni ndodhet në luftë civile që prej vitit 2014, kur rebelët Huthi morën kontrollin e kryeqytetit Sana dhe rrëzuan qeverinë. Një vit më vonë, Arabia Saudite dhe një koalicion shtetesh arabe ndërhynë ushtarakisht për të rikthyer qeverinë në pushtet.

Pas disa vitesh përpjekjesh për paqe, situata nisi të përkeqësohej sërish në korrik, kur Huthit shpallën një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite dhe nisën sulme me raketa e dronë ndaj aeroporteve, objekteve të naftës dhe anijeve në Detin e Kuq. Rebelët justifikuan veprimet e tyre me bllokadën saudite ndaj porteve dhe aeroporteve në zonat që kontrollojnë, si dhe me një sulm ajror ndaj aeroportit të Sanaas, për të cilin fajësuan Riadin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!