Eksperti për integrimin, Genti Xhaxhiu thotë se progresraporti i KE për Shqipërinë, ka një datë konkrete për mbylljen e negociatave, fundi i vitit 2027.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Xhaxhiu u shpreh se 2027 ka qenë ambicie e qeverisë, teksa tanimë është objektiv i përbashkët me Brukselin.
Sipas Xhaxhiut, Brukseli është entuziast për Shqipërinë dhe Malin e Zi. Eksperti shtoi se ndër kapitujt më të vështirë janë për mjedisin dhe mbrojtjen e konsumatorit.
“Raporti përcakton një datë për mbylljen e negociatave. Data e periudhës për traktatin, është 6 mujori i parë i 2028, pra mbyllja teknike. Më pas do të nisë ratifikimi në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare. Janë një lajm i mirë, ambicia e 2027 ka qenë pjesë e konferencave, samiteve, ka qenë e shpallur nga qeveria jonë, por Brukseli nuk e kishte shkruar një letër. Tashmë është datë e bashkëndarë mes Tiranës dhe Brukselit, një objektiv. Shqipëria ka një listë të gjatë kapitujsh për t’u fokusuar. Viti i ofensivës së madhe në mbylljen e kapitujve, është 2027. Duhet të bëhet të paktën mbyllja e 20 kapitujve. Kapitulli i mjedisit është i vështirë. Tjetër kapitull i vështirë është mbrojtja e konsumatorit. Një tjetër sektor i vështirë do të jetë bujqësia. Këto do jenë piketat kryesore ku qeveria dhe administrata do fokusohen në muajt në vijim. Brukseli është entuziast për Shqipërinë dhe Malin e Zi. Brukseli e shikon rajonin në tërësinë e saj”, theksoi ai./abcnews.al


