Pesë emra të rinj janë zgjedhur për të qenë pjesë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), pas një procesi votimi të zhvilluar në Asamblenë e Përgjithshme dhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mandati i tyre do të jetë nëntëvjeçar dhe do të nisë më 6 shkurt 2027.
Gjyqtarët që do t’i bashkohen institucionit më të lartë gjyqësor të OKB-së janë Dapo Akande, nga Mbretëria e Bashkuar, Francois Alabrune, nga Franca, Mahmoud Daifallah Hmoud, nga Jordania, Rena Lee, nga Singapori, si dhe Phoebe Okowa, nga Kenia.
Procedura e zgjedhjes parashikon që çdo kandidat të marrë shumicën absolute të votave në të dy organet e OKB-së, Asamblenë e Përgjithshme dhe Këshillin e Sigurimit.
Katër prej kandidatëve, Akande, Alabrune, Hmoud dhe Lee, arritën të sigurojnë mbështetjen e nevojshme që në raundin e parë. Ndërkohë, gara për vendin e pestë u shoqërua me disa raunde votimi, për shkak të mungesës së një rezultati të përbashkët mes dy organeve.
Në këtë garë ishte edhe përfaqësuesi i Ekuadorit, Marcelo Vazquez-Bermudez, i cili mori shumicën e votave në Këshillin e Sigurimit, por nuk arriti të njëjtin rezultat në Asamblenë e Përgjithshme. Ai vendosi më pas të tërhiqej nga kandidimi.
Pas tërheqjes së tij, Phoebe Okowa arriti të marrë votat e nevojshme në të dy institucionet, duke siguruar kështu vendin e pestë në gjykatë.
Anëtarët e rinj do të nisin punën më 6 shkurt 2027, një ditë pas përfundimit të mandateve të pesë gjyqtarëve aktualë, të cilët do të qëndrojnë në detyrë deri më 5 shkurt të po atij viti.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me seli në Hagë të Holandës, përfaqëson organin kryesor gjyqësor të Kombeve të Bashkuara. Ajo ka për detyrë të zgjidhë mosmarrëveshjet juridike mes shteteve, si dhe të japë opinione këshillimore për çështje ligjore të referuara nga organet e autorizuara të OKB-së.


