Bastet sportive i dhanë paratë për të nisur një jetë të re në Itali, por edhe një pseudonim që do ta shoqëronte për vite me radhë. Është Ilirjan Kristo, pensionisti shqiptar me një histori të pazakontë, ku futbolli, bastet dhe rastësitë ndërthuren në një rrëfim plot surpriza.
Gjithçka nisi në vitin 1990, kur provoi për herë të parë bastet sportive. Luante shumë, por këmbëngul se nuk preku kurrë paratë e familjes. Një fitore prej 9500 eurosh i mundësoi të blinte makinën e tij të parë, ndërsa paratë e mbledhura ndër vite i shërbyen për të ndërtuar një të ardhme jashtë Shqipërisë.
Një tjetër pikë kthese ishte pjesëmarrja në një konkurs sportiv në RTSH, drejtuar nga Pandi Laço. Ilirjani u bë pjesë e emisionit për një muaj rresht, duke fituar edhe një njohje që do t’i hapte një derë të rëndësishme: atë të Ambasadës Italiane. Në vitin 1990 mori vizë turistike, mbërriti në Itali dhe kërkoi azil politik.
Atje nisi nga e para, fillimisht duke larë makina, për të ndërtuar më pas jetën e tij. U martua në vitin 1996 dhe dy vite më vonë bleu shtëpinë e parë. Por pasioni për futbollin nuk e braktisi asnjëherë. Falë një mënyre origjinale për të siguruar bileta, arriti të ndiqte rreth 200 ndeshje në stadiumin San Siro dhe 20 shfaqje në teatrin La Scala, pa paguar për to.
Dashuria për futbollin do t’i sillte edhe një tjetër histori të veçantë: takimin dhe intervistën me legjendën italiane Marco Tardelli, të realizuar në vitin 1994. Një intervistë që u transmetua në RTSH dhe që i dha edhe pseudonimin “Ilirjan Tardelli”.
Sot, prej 11 vitesh, ai nuk luan më baste, duke vendosur të heqë dorë për vajzën. Nuk e fsheh se i vjen turp për disa zgjedhje të së kaluarës, por thotë se paratë e fituara i hapën rrugën drejt një jete tjetër.
Tashmë në pension, Ilirjani vazhdon të udhëtojë drejt Shqipërisë, ku kujdeset për motrën e paralizuar, ndërsa bashkëshortja po përballet me një betejë të vështirë shëndetësore. Mes kujtimeve të stadiumeve, fitoreve dhe sfidave familjare, ai thotë se ndihet njeri me fat. Sot shoqëruesi i tij më i mirë është një qen, ndërsa filozofia e jetës mbetet e thjeshtë: paratë mund të të zgjidhin një problem, por lumturinë nuk ta blejnë kurrë.


