Nga Tepelena drejt televizionit amerikan, Emiliano Abedini po shkruan historinë e tij të suksesit në industrinë audiovizuale të SHBA-së. Videografi, fotografi dhe producenti shqiptar ka fituar katër çmime Emmy, ndërsa në edicionin e vitit 2026 u vlerësua me gjashtë nominime të reja. Sot, ai numëron shtatë trofe Emmy, një arritje që, siç e pranon vetë, nuk e kishte imagjinuar kur mbërriti në Amerikë.
Por pas këtij suksesi qëndron një histori pasioni, guximi dhe përkushtimi. Emiliano e nisi rrugëtimin profesional larg studiove televizive, pasi studioi për rreth pesë vjet në fushën e teknikës së laboratorit mjekësor. Ishte interesi për fotografinë ajrore dhe dronët që i ndryshoi drejtimin e jetës. Blerja e dronit të parë në Tiranë, rreth shtatë vjet më parë, u bë hapi i parë drejt një karriere që do ta çonte përtej oqeanit.
Vetëm tre muaj më vonë, ai siguroi pagesën e parë për një projekt. Ndërsa realizimi i një filmi promovues për qytetin e Kukësit e ndihmoi të kuptonte se e ardhmja e tij ishte pas kamerës.
Në shtator të vitit 2023, Emiliano u transferua në Shtetet e Bashkuara, duke nisur një kapitull të ri mes sfidave të emigrimit dhe kërkesave të një industrie konkurruese. Puna e tij në Çikago e ka çuar drejt bashkëpunimeve me media të njohura, përfshirë Univision Chicago, ndërsa prej pak javësh ai ka nisur një rrugëtim të ri profesional në CBS Chicago, një prej televizioneve të njohura të lajmeve në SHBA.
Mes projekteve të vlerësuara është edhe “Orgullo del Barrio”, ku ai kontribuon si producent. Përmes kamerës, Emiliano sjell në vëmendje historitë e komuniteteve, familjeve dhe traditave që shpesh mbeten larg vëmendjes publike. Për të, puna audiovizuale nuk është vetëm çështje teknike, filmimi apo montazhi, por edhe një mënyrë për të rrëfyer historitë njerëzore dhe për të ruajtur identitetin e komuniteteve.
Viti 2026 ka qenë intensiv, i shoqëruar me sfida, rritje profesionale dhe krijimin e një biznesi të ri. Megjithatë, përtej trofeve dhe vlerësimeve, Emiliano veçon një motivim shumë më personal: familjen. “Krenaria e familjes është motivi më i madh që kam pasur në jetën time”, shprehet ai, duke dëshmuar se suksesi merr një kuptim tjetër kur ndahet me njerëzit më të dashur./abcnews.al


