Mbetje mortore eshtërore janë gjetur më 27 tetor në varrezat e qytetit të Mitrovicës së Veriut. Dyshohet se ato mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se gërmimet vlerësuese në varrezat e besimtarëve myslimanë janë vijim i punimeve të zhvilluara më 20 tetor.
Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’u nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme, përfshirë analizat e ADN-së, me qëllim identifikimin e viktimave.
Sipas Limanit, në varësi të rezultateve mjekoligjore, lokacioni mund të mbetet objekt i verifikimeve dhe gërmimeve të mëtejshme për të zbardhur fatin e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Zbulimi në Mitrovicën e Veriut vjen pas gjetjes së tri varrezave masive në Zubin Potok, ku janë zbuluar mbetjet mortore të të paktën 23 personave. Viktimat dyshohet se i përkasin grupit të shqiptarëve të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, të zhdukur më 19 prill të vitit 1999.
Autoritetet kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave të para, ndërsa në Kosovë janë arrestuar disa persona në lidhje me krimet e luftës që lidhen me këtë rast.
Sipas të dhënave të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur nga lufta e viteve 1998–1999, ndërsa gjithsej janë dokumentuar 12.230 viktima të luftës.


