Mjedra është një nga frutat manore që vitet e fundit po tërheq gjithnjë e më shumë interes edhe në Shqipëri. Ende nuk zë sipërfaqe të mëdha krahasuar me kulturat tradicionale të pemëtarisë, por kërkesa në treg po shtyn fermerët të provojnë kultivimin e saj. Klima e freskët, toka e përshtatshme dhe mundësia për një prodhim që kërkohet nga tregtarët po bëjnë që mjedra të shfaqet edhe në zona ku më parë nuk kultivohej.
Çfarë e bën Dibrën të përshtatshme për kultivimin e mjedrës?
Dihet që Dibra është mjaft e përshtatshme për shkak të kushteve të klimës, me klimë të freskët. Së fundmi i është shtuar edhe mjedra, asaj të pemëve frutore. Pamë që nga tregu dhe konsumatori kërkohet. Shumë. Mjedra si kulturë e re kërkon tjetër kujdes. Kërkon toka të freskëta, të lehta, nuk kërkon tokë argjilore. Duhet gjatë gjithë kohës vaditje, ndryshe nuk bëhet. Kemi testuar 4 lloj variantesh, sot kemi 100 ditë që vjelim, me rendiment të kënaqshëm. Janë pemë vjeshtore, nga nëntori priten fidanët, janë njëvjeçarë.
Mjedra erdhi nga kontaktet që kisha me fermerë të Kosovës. Duke u interesuar në treg që kishte kërkesë, uri, nuk ka përse të vijë nga Kosova, mendova, pse jo edhe mjedër. U bindëm që është kulturë me të ardhura të shkëlqyera… Ne pamë që këtë vit fruti është dëmtuar pak nga temperaturat e larta, ndaj vendosëm edhe rijetëzimin, ne këtë nuk kemi pasur asnjë dëmtim. Na e dëmtuan shirat e nëntorit. Jemi rrezikuar nga temperaturat e ulëta dhe ngricat që dëmtuan fidanët, ngrica e pranverës. Edhe nëse prishet 50%, rigjenerohet.
Mjedra ishte e panjohur për Qatipin, por jo puna me tokën.
70-vjeçari e ka kaluar gjithë jetën mes bimëve dhe pemëve. Ka studiuar agronomi dhe profesionin e tij e ka ushtruar prej vitesh. Por jeta e ka çuar përtej kufijve të Shqipërisë.
Për disa vite emigroi në Greqi, ku punoi për të tjerët. Paratë e fituara atje, pas kthimit, vendosi t’i investonte në atë që njihte më mirë: tokën.
Por një tjetër ndryshim që fermerët e zonës e lidhin me zhvillimin e bujqësisë është Rruga e Arbrit.
Sipas tyre, rruga ka shkurtuar ndjeshëm distancën mes Maqellarës dhe Tiranës, duke lehtësuar edhe transportin e prodhimeve bujqësore.
Sot, toka është vendi ku Qatipi kalon pjesën më të madhe të ditës.
“Kam mbaruar agronomi, kam punuar në sistemin monist në profesion, pastaj kam qenë disa vite emigrim në Greqi, vite të humbura se punuam për të tjerët. Duhet të kisha punuar për veten time. 6 vite në Greqi, ’99 erdha në Shqipëri, aty nisa të merresha me bujqësi, fitimet atje i investova në tokë. Toka ka vlera të jashtëzakonshme, për dikë që do të punojë”.
Fermeri Doda thotë që tregut nuk i trembet, jo vetëm që mjedra nuk mbetet pa u shitur, por thotë se fermerët në vend nuk po përmbushin kërkesat.
Fermeri u bën thirrje banorëve të zonës që ata të kthejnë sytë nga bujqësia dhe punimi i tokës. Sipas tij, puna në bujqësi nuk të lë asnjëherë pa lekë në xhep dhe se tregu ka gjithmonë kërkesa për prodhim cilësor.
Pasionin për bujqësinë e ka trashëguar edhe te fëmijët, ndërsa në parcelë tregon që merr edhe nipërit e mbesat.


