27 tetori shënon Ditën Botërore të Trashëgimisë Audiovizuale, një ditë e dedikuar ruajtjes së dokumenteve filmike, regjistrimeve zanore dhe materialeve të tjera audiovizuale që dëshmojnë historinë dhe kujtesën kolektive të njerëzimit.
Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e ruajtjes së këtyre materialeve, shumë prej të cilave rrezikojnë të humbasin për shkak të dëmtimit fizik, vjetërsimit të teknologjisë apo mungesës së kushteve të përshtatshme të arkivimit.
Tema e këtij viti është “Dritarja juaj drejt botës”, e cila vë në pah rolin e trashëgimisë audiovizuale në njohjen e kulturave, historive dhe traditave të popujve të ndryshëm, duke nxitur dialogun dhe mirëkuptimin mes shoqërive.
Në një komunikatë, UNESCO thekson se arkivat audiovizuale dokumentojnë jetën dhe kulturën e njerëzve në mbarë botën. Ato përbëjnë një pasuri të çmuar për kujtesën kolektive dhe një burim të rëndësishëm njohurish, duke pasqyruar diversitetin kulturor, shoqëror dhe gjuhësor.
Ruajtja dhe digjitalizimi i këtyre materialeve janë thelbësore për të garantuar që ato të mbeten të aksesueshme për publikun dhe brezat e ardhshëm. Në këtë kuadër, arkivat e UNESCO-s kanë ndërmarrë projektin “Digjitalizimi i historisë sonë të përbashkët në UNESCO”, me synimin për të mbrojtur dhe bërë më të qasshme dokumentet historike.
Dita Botërore e Trashëgimisë Audiovizuale shërben gjithashtu si një mundësi për shtetet anëtare të UNESCO-s që të vlerësojnë përparimin në zbatimin e rekomandimit të vitit 2015 për ruajtjen dhe aksesin në trashëgiminë dokumentare, përfshirë atë në format digjital.
Përtej vlerës së tyre historike, filmat, fotografitë dhe regjistrimet zanore janë dëshmi të gjalla të së kaluarës, që ndihmojnë në kuptimin e së tashmes dhe në ruajtjen e identitetit kulturor për të ardhmen.


