Qiproja ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt shfrytëzimit komercial të rezervave të saj të gazit natyror, pasi kompania italiane e energjisë Eni nënshkroi të hënën kontrata me vlerë deri në 1.8 miliardë dollarë, rreth 1.61 miliardë euro, për zhvillimin e fushës së gazit Kronos në Zonën Ekskluzive Ekonomike të vendit.
Projekti, që do të realizohet në bashkëpunim me kompaninë franceze TotalEnergies, synon nisjen e prodhimit në gjysmën e parë të vitit 2028.
Marrëveshjet përfshijnë projektimin, furnizimin me pajisje, ndërtimin dhe instalimin e infrastrukturës së nevojshme për nxjerrjen e gazit.
Pas prodhimit, gazi do të transportohet drejt Egjiptit, ku do të përpunohet përmes infrastrukturës ekzistuese, përfshirë objektet e lidhura me fushën Zohr, dhe më pas do të dërgohet në impiantin e gazit natyror të lëngshëm në Damietta, prej nga do të eksportohet në tregjet ndërkombëtare, kryesisht në Evropë.
Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, priti në Pallatin Presidencial një delegacion të Enit, të kryesuar nga Guido Brusco, drejtues i operacioneve globale të burimeve natyrore të grupit. Pas takimit u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të kontratave për zbatimin e projektit.
Në një deklaratë me shkrim, Christodoulides tha se marrëveshjet me vlerë deri në 1.8 miliardë dollarë dhe perspektiva e shfrytëzimit të parë komercial të gazit qipriot përbëjnë një votë të fortë besimi në potencialin energjetik të vendit, me rëndësi të veçantë ekonomike dhe gjeopolitike.
Brusco e cilësoi projektin Kronos si një moment historik për Qipron, pasi bëhet fjalë për projektin e parë të zhvillimit të një fushe hidrokarburesh në vend.
Sipas tij, fusha përmban rezerva të vlerësuara në më shumë se tre trilionë këmbë kub gaz natyror, ndërsa prodhimi mund të arrijë deri në 500 milionë këmbë kub në ditë, pasi operacionet të stabilizohen.
Ai theksoi se Eni është e pranishme në Qipro që nga viti 2013 dhe se kalimi i projektit në fazën e zbatimit është rezultat i më shumë se një dekade investimesh në ekspertizë, burime njerëzore dhe teknologji, si dhe i bashkëpunimit mes Qipros, Egjiptit, Enit dhe TotalEnergies.
“Ky është projekti ynë i parë i zhvillimit në Qipro dhe konfirmon angazhimin tonë për të qenë partner afatgjatë në të ardhmen energjetike të vendit”, deklaroi Brusco.
Përdorimi i infrastrukturës ekzistuese të Egjiptit konsiderohet një element kyç i projektit, pasi pritet të ulë kostot e zhvillimit dhe të shkurtojë kohën e nevojshme për ndërtimin e objekteve.
Bashkëpunimi me Kajron krijon një rrugë për shndërrimin e rezervave të Kronos në një burim të ardhurash, megjithëse, sipas gazetës qipriote Phileleftheros, të ardhurat nga shitja e gazit nuk pritet të fillojnë menjëherë.
Për realizimin e projektit janë përfshirë disa kompani të specializuara. Baker Hughes do të merret me sistemet nënujore të prodhimit, Dalmine me punimet për tubacionet e eksportit të gazit dhe transportimin e MEG-ut, ndërsa TechnipFMC do të realizojë punimet për linjat fleksibile të prodhimit.
McDermott do të kryejë transportimin, instalimin në det dhe vënien në funksion të tubacioneve dhe pajisjeve nënujore, kurse Oceaneering do të ndërtojë kabllot kryesore të kontrollit nënujor.
Kompania CMHI do të ndërtojë dhe instalojë një njësi lundruese kontrolli, Petrojet do të ndërtojë një tubacion të ri tokësor të gazit në Egjipt, mes fushës Zohr dhe impiantit të Damietta-s, ndërsa Saipem do të ofrojë shërbime shpimi në det me anijen e saj Saipem 10000.
Zhvillimi i Kronos shihet edhe si pjesë e përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin energjetik në Mesdheun Lindor.
Qiproja mund të sigurojë gazin, Egjipti ofron infrastrukturën për përpunimin dhe lëngëzimin e tij, Greqia ka një pozicion strategjik dhe lidhje energjetike drejt Evropës Juglindore dhe Qendrore, ndërsa Italia përbën një pikë të rëndësishme hyrëse në një prej tregjeve më të mëdha të energjisë në Bashkimin Evropian.
Këto lidhje mund të krijojnë mundësi për investime të reja në infrastrukturë, zgjerim të tregtisë dhe zhvillim të rrugëve alternative të transportit të energjisë.
Ato marrin rëndësi të veçantë në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme dhe shqetësimet për transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit kanë shtuar vëmendjen ndaj sigurisë së furnizimit me energji.
Megjithatë, kontributi real i gazit qipriot në sigurinë energjetike të Evropës do të varet nga nisja e prodhimit, kapacitetet e eksportit, marrëveshjet tregtare dhe kushtet e tregut ndërkombëtar.
Shfrytëzimi i Kronos nuk nënkupton automatikisht zëvendësimin e furnizimeve nga Shtetet e Bashkuara apo Rusia, por mund t’i shtojë Evropës një burim tjetër furnizimi.
Paralelisht, në Mesdheun Lindor po zhvillohen edhe projekte të tjera të gazit. Gjiganti amerikan Chevron vijon bisedimet për zhvillimin e fushës Aphrodite, në bashkëpunim me kompaninë izraelite NewMed Energy dhe atë britanike Shell.


