Në një intervistë për emisionin “Tirana Live”, zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, ka komentuar situatën e krijuar gjatë protestës, duke bërë të ditur se 130 të mitur janë shoqëruar në komisariate.
Ruseti theksoi se strukturat përkatëse po punojnë për zbardhjen e ngjarjeve, ndërsa disa nga autorët e veprave penale janë identifikuar përmes pamjeve filmike të publikuara në media dhe rrjetet sociale.
Ajo e cilësoi të papranueshme përfshirjen e të miturve në protestë, ndërsa nënvizoi se, pas qetësimit të situatës, do të shqyrtohet si sjellja e protestuesve, ashtu edhe respektimi i standardeve nga Policia e Shtetit. Ruseti u ndal gjithashtu te ndikimi që ngjarje të tilla mund të kenë në imazhin e Shqipërisë përballë aleatëve të Bashkimit Evropian.
“Kjo është një situatë dinamike, ka një pjesë të strukturës që po merret me zbardhjen. Kemi pasur fakte publike, që ishte arrestimi i një personi të huaj në protestë. Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE mund të jetë një prishje e imazhit me aleatët e BE.
Megjithëse mendoj se ne si shtet kemi ruajtur standardet. 130 të mitur janë shoqëruar në komisariate. Është e papranueshme përfshirja e minorenëve në protestë. Disa nga autorët e veprave penale janë identifikuar nga pamjet filmike në media, por edhe në rrjetet sociale.
Nuk është aspak e pëlqyeshme kur një efekt i policisë përballet me një minoren. Pasi situata të jetë qetësuar do të shikojmë të dyja anët e medaljes, protestuesit, por edhe standardet që janë ndjekur nga policia e shtetit”, tha Ruseti.


