Ambasadori amerikan në Vjenë: Asnjë rrezik për shqiptarët nga Irani

schedule20:00 - 9 Janar, 2020

schedule 20:00 - 9 Janar, 2020

Prioritetet e presidencës shqiptare të OSBE janë mirëpritur në këtë organizatë e posacërisht nga ambasadori i SHBA dhe ai i Ukrahinës. Ky i fundit shprehet i kënaqur me prioritetet e kryeministrit Rama për respektimin e sovranitetit territorial, tepër të rëndësishme për vendin e tij, që ka vuajtur sic thotë nga pushtimi i Federatës ruse.

Ambasadori konfirmon vizitën e Ramës në Ukrahinë në 20-21 janar, por edhe pritshmëritë nga kryeministri Rama si kryesues i radhës së OSBE.

“Pata mundësinë e një bisede të shkurtër me kryeministrin. I shpreha qëndrimin se hapi më i parë i rëndësishëm për sigurinë, do ishte arritja e armëpushimit sepse njerëzit po vdesin akoma atje. Kjo është një fatkeqësi e ne duhet ta ndalim. Ne e vlerësojmë se vizita e parë e kryesuesit të OSBE do jetë në Ukrahinë. Ne do e presim atë më 20-21 janar të këtij viti dhe ne këtu në Vjenë kemi një mekanizëm shumë të mirë konsultimi dhe unë vetë kam marrëdhënie miqësore me përfaqësuesin e përhershëm të Shqipërisë…. dhe për më tepër ne po planifikojmë të hapim një ambasadë të Ukrahinës në Shqipëri këtë vit. Pra mendoj se kontakte do përforcohen më tej”

Edhe ambasadori amerikan në OSBE konfirmon besimin tek presidenca e Shqipërisë, edhe kur pyetet për vendimin e Ramës për të vizituar Rusinë.

“Ne kemi besim në angazhimin e KM për marrëveshjet e aktin final të Helsinkit. Kështu ka thënë dhe ne kemi besim. Nëse ai dëshiron të vizitojë një vend anëtar të OSBE, Rusia është vend anëtar i OSBE, natyrisht  SHBA nuk kanë kundërshtim, kryesisht sepse ne kemi këtë besim tek kryeministri, në angazhimin e tij për parimet e aktit final të Helsinkit”.

Madje ambasadori thotë se nuk ka dëgjuar asgjë shqetësuese për një influencë ruse në Shqipëri, e se vendi ynë duket i angazhuar në kursin perëndimor. I pyetur për ndikimin në vendin që ka mikpritur një numër të konsiderueshëm të përfaqësuesve të opozitës iraniane, c’ka solli edhe referencën për Shqipërinë se mbështet terroristët, ambasadori Gilmore thotë se SHBA ndërmorën aksionin e fundit, pasi u sulmuan, por nuk ka rrezik për qytetarët e Shqipërisë.

“Sa i takon Shqipërisë, cdo kërcënim ndaj Shqipërisë është pa kuptim. Padyshim që Shqipëria është një mik i mirë i SHBA dhe tani kryesuese e një organizate shumë të madhe multilaterale dhe ne jemi besimplotë se qytetarët e Shqipërisë janë të sigurt”.

Shqipëria mori për herë të parë, në 1 janar të këtij viti presidencën e OSBE, të cilën, në 1 janar të vitit të ardhshëm do ia dorëzojë Suedisë.

Intervista e plotë e realizuar në Vjenë nga gazetarja Esjona Konomi me ambasadorin Yevhenii Tsymbaliuk:

Yevhenii Tsymbaliuk: Eshtë gjë e mirë që Kryeministri erdhi në Vjenë për të paraqitur pripritetet e presidencës së Shqipërisë. Jemi mirënjohës të konstatojmë se cështje si implementimi i të gjitha parimeve të shkruara në aktin final të Helsinkit janë mes prioriteteve e sidomos ato që kanë të bëjnë me respektimin e sovranitetit territorial e integritetit të shteteve. Kjo është shumë e rëndësishme për Ukrahinën që ka vuajtur nga pushtimi i huaj i federatës Ruse.

Esjona Konomi: Si mund t’ju ndihmojë një vend i vogël si Shqipëria për këtë çështje?

Yevhenii Tsymbaliuk: Nuk ka vende të vogla në OSBE sepse secili vend ka të njëjtin zë dhe consensus këtu e sidomos nëse je kryesues I OSBE mund të ndikosh në shumë procese. Ne presim që presidenca shqiptare të marrë udhëheqësinë, në rastin tonë për atë me të cilën jemi dakordësuar në të kaluarën në Samitin e katërt të Normandisë në Paris. Për shumë cështje u ra dakord por kurrë nuk u implementuan si psh armëpushimi që duhej të kishte ndodhur para fundit të këtij viti por ende nuk është zbatuar. Patëm një shkëmbim të mirë pikëpamjesh. Kemi patur një shkëbim të konsiderueshëm të personave të kapur, por e shohim këtë vetëm si fillim të procesit. Pata mundësinë e një bisede të shkurtër me kryeministrin. I shpreha qëndrimin se hapi më i parë i rëndësishëm për sigurinë, do ishte arritja e armëpushimit sepse njerëzit po vdesin akoma atje. Kjo është një fatkeqësi e ne duhet ta ndalim.

Esjona Konomi: Sa e vështirë është të arrihen marrëveshjet mes palëve me Rusinë aty?

Yevhenii Tsymbaliuk: Në fakt nuk është dicka e re. Rregulli i konsensusit ka ekzistuar gjithmonë. Të gjithë e dimë se cfarë do të thotë kjo gjë. Nganjëherë vendimet e dokumentet e axhendës mund të konsiderohen prej disave si dobësi, por ndonjëherë është mirë të kemi të paktën një document se të mos kemi asgjë, por nganjëherë është mirë të tregosh me forcë vullnetin tënd politik, edhe nëse nuk ke një document. Pra këto janë dy anët e procesit.

Esjona Konomi: A keni pritshmëri për zgjidhjen e krizës këto kohë?

Yevhenii Tsymbaliuk: Së pari ne e vlerësojmë se vizita e parë e kryesuesit të OSBE do jetë në Ukrahinë. Ne do e presim atë më 20-21 janar të këtij viti dhe ne këtu në Vjenë kemi një mekanizëm shumë të mirë konsultimi dhe unë vetë kam marrëdhënie miqësore me përfaqësuesin e përhershëm të Shqipërisë. Kemi takime e konsultime të paktën një herë në javë, pra jo thjesht një takim përshëndetës, por duke u ulur gjatë në tryezë e duke diskutuar axhendën e OSBE. Kemi patur konsultime edhe gjatë përgatitjeve për presidencën shqiptare të OSBE, pra sic e shihni ne jemi përgatitur për kontaktet me palën shqiptare kohë më parë dhe për më tepër ne po planifikojmë të hapim një ambasadë të Ukrahinës në Shqipëri këtë vit. Pra mendoj se kontakte do përforcohen më tej.

Intervista e plotë  e realizuar në Vjenë nga gazetarja Esjona Konomi me ambasadorin amerikan në Vjenë James Gilmore:

Esjona Konomi: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga presidenca shqiptare e OSBE?

James Gilmore: SHBA kanë shumë besim tek kjo presidencë. Jemi shumë të kënaqur që Shqipëria mori presidencën. Ky është një compliment dhe një votë besimi tek qytetarët e Shqipërisë, se qeveria e tyre do zgjidhej si kryesuese e një organizate kaq të madhe si OSBE. Pra ne kemi shumë besim tek udhëheqja e ardhshme e Shqipërisë.

Esjona Konomi: Cfarë mendoni për planin e Kryeministri Rama për të vizituar Rusinë gjatë kësaj presidence?

James Gilmore: Ne kemi besim në angazhimin e Kryeminisri për marrëveshjet e aktin final të Helsinkit. Kështu ka thënë dhe ne kemi besim. Nëse ai dëshiron të vizitojë një vend anëtar të OSBE, Rusia është vend anëtar i OSBE, natyrisht  SHBA nuk kanë kundërshtim, kryesisht sepse ne kemi këtë besim tek kryeministri, në angazhimin e tij për parimet e aktit final të Helsinkit.

Esjona Konomi: Si do ndikojë për shqipërinë situate SHBA-Iran sepse ju e dini që në Shqipëri kemi pritir 3000 përfaqësues të MEK dhe deklaratat e Kameneit dje që përmendi Shqipërinë që bashkë me SHBA presin dhe mbështesin terroristë?

James Gilmore: SHBA kanë ndërmarrë një aksion vetëm ditët e fundit, sepse u sulmuan. Ka patur më parë sulme ndaj bazave amerikane, qytetarë amerikanë janë vrarë, ka patur edhe sulme me raketa ndaj interesave amerikane dhe në një farë mënyre, njerëzit që morën pjesë dhe i shkaktuan këto, duhet të mbajnë përgjegjësi. Dhe prandaj SHBA ndërmorën atë aksion. Sidoqoftë Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për paqen dhe do donim të shihnim një rënie të përshkallëzimit në këtë konflikt të mundshëm. Duket se Irani ka vendosur të tërhiqet dhe kjo është një gjë e mirë. SHBA nuk po kërkojnë luftë me Iranin. Sa i takon Shqipërisë, cdo kërcënim ndaj Shqipërisë është pa kuptim. Padyshim që Shqipëria është një mik i mirë i SHBA dhe tani kryesuese e një organizate shumë të madhe multilaterale dhe ne jemi besimplotë se qytetarët e Shqipërisë janë të sigurt.

Esjona Konomi: A ka ndonjë shqetësim për ndikim rus në Shqipëri?

James Gilmore: Nuk kam dëgjuar ndonjë gjë për t’u shqetësuar mbi influencën ruse në Shqipëri. Shqipëria duket plotësisht e angazhuar në rrugën perëndimore të veprimit për demokraci e zhvillim të mirë në të ardhmen për Shqipërinë. Pra ne nuk kemi asnjë lloj frike për këtë./abcnews.al