Rreth 70 mijë efektive policie dhe forca ushtarake janë angazhuar në të gjithë Francën këtë të shtunë për të parandaluar përsëritjen e skenave të dhunës dhe vandalizmit të javës së kaluar. Autoritetet kanë shtuar praninë në qytetet kryesore, duke vënë në dispozicion njësi speciale, automjete të blinduara, helikopterë dhe autobote uji.
Kontrollet janë shtuar në zonat ku priten grumbullime, ndërsa policia po monitoron edhe rrjetet sociale për të identifikuar thirrjet që mund të nxisin përplasje dhe akte të dhunshme.
Një ditë më parë, presidenti francez Emmanuel Macron akuzoi grupet e ekstremit të majtë për organizimin e akteve të dhunshme, duke deklaruar se disa prej tyre synojnë të godasin institucionet e Republikës.
Edhe ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, paralajmëroi se në operacion do të përfshihen njësi elitare, të trajnuara për ndërhyrje në situata me rrezik të lartë, ndërsa autoritetet nuk do të tolerojnë akte dhune dhe shkatërrimi.
Masat e shtuara vijnë pas trazirave të fundjavës së kaluar, kur disa qytete franceze u përfshinë nga përplasjet, grabitjet dhe dëmtimet e pronës publike e private. Sipas shifrave të raportuara, rreth 2,600 persona u arrestuan në lidhje me incidentet, ndërsa mijëra biznese u dëmtuan ose u plaçkitën.
Në Paris, në disa zona janë vendosur kufizime të lëvizjes gjatë natës, nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit. Në Lion janë ndaluar grumbullimet në rrugë, ndërsa në Marsejë janë kufizuar tubimet dhe demonstratat. Masa të tjera, përfshirë kufizime të posaçme për të miturit, janë njoftuar edhe në Nicë dhe në disa qytete të veriut të vendit./abcnews.al


