Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se Policia e Shtetit po përdor teknologjinë dhe burime të ndryshme filmike për identifikimin e personave që kanë kryer akte dhune gjatë protestave të ditëve të fundit.
Sipas tij, janë identifikuar edhe individë që kanë tentuar të fshehin fytyrën përmes maskave. Demo theksoi se procesi po vijon me qëllim dokumentimin e rasteve të dhunës ndaj institucioneve publike dhe bizneseve private. Ai garantoi se të gjitha rastet e evidentuara do t’i përcillen Prokurorisë, me synimin që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
“Në fakt unë do doja të identifikoja specifikisht rëndësinë që ka tashmë procesi që Policia e Shtetit është duke ndjekur për sa i përket identifikimit të vazhdueshëm që bën të elementëve të dhunshëm, të cilët kanë marrë pjesë në protestat e ditëve të fundit.
Janë një sërë burimesh informacioni që janë duke u përdorur, duke filluar me ato që janë publike, me vetë problematikën që kanë pasur media të ndryshme për sa i përket protestave që kanë ndodhur, po ashtu rrjetet sociale dhe në të njëjtën kohë janë përfshirë dhe të gjitha imazhet e atyre institucioneve publike apo private, prona private apo publike të cilat janë dhunuar gjatë këtyre ditëve.
Ky proces fatmirësisht sot është duke u lehtësuar edhe nga vetë teknologjia për ta bërë atë më të shpejtë dhe ne kemi në fakt dita-ditës raste, të cilat janë të identifikueshme edhe kur protestuesit kanë fshehur pamjen e tyre nëpërmjet maskave, ne përsëri kemi arritur që të identifikojmë të gjithë protestuesit, të cilët kanë kryer akte dhune.
Ky proces do të vazhdojë. Policia e Shtetit është shumë e qartë për sa i përket detyrës që ka, për të sjellë përpara prokurorisë të gjitha ato çështje që do të ndërtohen për të gjithë personat të cilët kanë kryer dhunë kundër institucioneve dhe pronës private.
Besoj që pamjet janë duke u shfaqur në këtë moment për sa i përket rasteve të cilat ne kemi identifikuar. Këtu shohim disa prej tyre, të cilët janë pjesërisht të maskuar, pavarësisht se këto janë pamje, të cilat janë marrë nga burime publike, janë rrjetet sociale, janë kamerat e televizioneve, të cilët kanë dëshmuar në fakt vetë për sa i përket nivelit të dhunës që individë të ndryshëm kanë kryer. Dhe ajo çfarë ne jemi duke realizuar tashmë, është që nëpërmjet teknologjisë, sepse janë qindra e qindra orë filmim nga burime të ndryshme, të cilat duhen përpunuar dhe patjetër duke përdorur thjesht burimet njerëzore, kjo do të ishte një proces shumë i vështirë, por tashmë falë teknologjisë, ne jemi duke avancuar me shpejtësi për sa i përket identifikimit të të gjithë personave të dhunshëm, të cilët kanë kryer këto akte kundër institucioneve publike, kundër pronës private dhe në fakt janë vetë të filmuar nga imazhet e mediave publike apo kamerat e institucioneve apo vetë filmimeve që ata kanë hedhur nëpërmjet rrjeteve sociale.
Prandaj, unë dua të garantoj të gjithë qytetarët që Policia e Shtetit do të punojë çdo ditë për aq kohë sa duhet për të vënë përpara drejtësisë të gjithë ata të cilët kanë shkatërruar pronën publike, të gjithë ata të cilët kanë cënuar bizneset private dhe këtë policia po e bën falë edhe teknologjisë më shpejt edhe më saktë”, tha Demo.


