Kryeministri Edi Rama foli sërish sot për duar të huaja në protestën e ‘studentëve’, që kërkojnë destabilizimin e Shqipërisë, duke ushtruar dhunë nën maskën e studentëve.
“Dje, unë ju informova për një listë të gjatë personash me precedent criminal, të cilët nën maskën e studentit, por pa asnjë lidhje me statusin e studentit, me lëvizjen imagjinare studentore ushtruan dhunë dhe janë ndalur dhe proceduar nga Policia e Shtetit.
Një listë domethënëse përfaqësuese e një komponenti të dhunshëm të protestës që është integruar në këtë masë të larmishme personash me një qëllim shumë të qartë: destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës sonë, duke na kthyer mbrapsht në të shkuarën.
Natyrisht që, pas atyre personave, qëndrojnë krimi i organizuar, si dhe duar të huaja për të cilat vazhdojmë të hetojmë intensivisht.
Por ajo, që më bëri më shumë përshtypje ishte përsëri reagimi i ekraneve të korruptuara ndaj një liste, e cila minimalisht duhet t’i bënte të gjithë të reflektonin mbi mosdistancimin nga dhuna dhe relativizimi i mëtejshëm i dhunës, gjithnjë në emër të studentëve, në emër të rinisë që sipas këtyre ekraneve dhe sipas sidomos VIP-ave të mbrëmjeve të hymnizimit të dhunës nëpër këto ekrane, i përkasin një “momenti transformues” për Shqipërinë.
Këtu në fakt nuk ka asnjë moment tjetër transformues, përveçse një sfide të hapur me probleme të cilat kërkojnë adresim, pa diskutim probleme të shoqërisë, probleme të familjeve të zakonshme, probleme të studentëve, probleme të rinisë të tëra legjitime dhe dhunës, gjuhës së gurit, gjuhës së hurit, gjuhës së zjarrit, gjuhës së urrejtjes, gjuhës së ofendimeve, të kërcënimeve, e cila nuk mund të fitojë një status qytetarie nëse ne duam një të nesërme të sigurtë për këtë vend dhe për fëmijët tanë”, u shpreh Rama.


