Një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar me plagosjen e tre të miturve në qytetin e Kukësit. Ngjarja ndodhi mesditën e sotme, jashtë ambienteve të një bilardoje, ndërsa policia ka shoqëruar dy 16-vjeçarë të dyshuar për ngjarjen.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:35, në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, ku një 16-vjeçar, me inicialet A. G., dyshohet se ka goditur me mjet prerës (bixhak) tre bashkëmoshatarë të tij, të gjithë 16 vjeç, banues në Has dhe shokë klase me autorin e dyshuar.
Të plagosurit janë transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Kukësit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Për shkak të gjendjes së tyre, dy prej tyre janë dërguar më pas në Prizren, për trajtim më të specializuar.
Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e 16-vjeçarit të dyshuar si autor të plagosjes. Gjithashtu, është kapur dhe shoqëruar edhe një tjetër 16-vjeçar, i dyshuar për përkrahje të autorit.
Gjatë veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar edhe mjetin prerës që dyshohet se është përdorur në ngjarje.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin.


