Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një komunikimi online në rrjetet sociale lidhur me protestat e dhunshme të zhvilluara në Shqipëri, duke theksuar se dhuna nuk mund të relativizohet apo justifikohet.
Ai akuzoi disa media për deformim të realitetit dhe për glorifikim të dhunës, ndërsa hodhi poshtë atë që e cilësoi si paraqitje manipuluese të përplasjeve mes protestuesve dhe policisë.
Rama bëri të ditur se ka publikuar raportet për efektivët e policisë dhe protestuesit e plagosur gjatë protestave.
“Komponentë që po zbërthehen dhe po çmontohen hap pas hapi. Dua ta përsëris se ndërkohë që liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme e çdo qytetari, dhuna është një krim i parelativizueshëm dhe i pajustifikueshëm.
Në protestat e javës së fundit, u bënë bashkë që të dyja, nga njëra anë liria për të protestuar si një e drejtë dhe nga ana tjetër dhuna si një krim që u relativizua dhe u glorifikua në ekranet e korruptuara mediatike. Pa pushim, orë e çast Shqipëria e shqiptarët panë me ankth se si terrori mori peng që të gjithë dhe u mbingarkuan me idenë e rreme se studentët u vunë nën dhunën policore.
Një përmbysje dramatike, manipuluese e një realiteti krejt tjetër. Kam ndarë raportet e policëve të plagosur dhe të protestuesve“, tha Rama.


