Analisti Roland Bejko ka komentuar protestat e studentëve dhe reagimin e institucioneve, duke theksuar se studentët kanë të drejtë të ngrihen dhe të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.
Sipas Bejkos, një qeveri serioze duhet t’u përgjigjet edhe protestave paqësore dhe jo të reagojë vetëm kur protestat shoqërohen me dhunë.
Bejko ka theksuar se problematikat që shfaqen në protesta janë të lidhura edhe me shoqërinë, tregun dhe sistemin, të cilat, sipas tij, ndikojnë në krijimin e këtij kontingjenti. Ai e cilësoi atë që ndodhi si një kambanë alarmi.
Duke bërë një krahasim mes protestave në vendet perëndimore dhe atyre në vendet më pak të zhvilluara, analisti u shpreh se, megjithëse mënyra e protestimit mund të ketë ngjashmëri, problematikat janë të ndryshme.
“Studentët kanë të drejtë të çohen, të kërkojnë. Një qeveri që është serioze, pse duhet të reagojë vetëm kur ka protestë të dhunshme dhe jo paqësore? Vetë shoqëria, tregu dhe sistemi e prodhojnë këtë kontingjent. Kjo që ndodhi është kambanë, jo për të plotësuar kushtet.
Ajo për të cilën në Perëndim është mungesë mirëqenieje, në vende të pazhvilluara mund të jetë mirëqenie. Kanë ngjashmëri në mënyrën si protestohet, por problematika është e ndryshme në vendet europiane. Në krah të PS-së është Gjykata e Lartë që u dogj, në krah të Lanës është Gjykata e Apelit që u sulmua. Policia e Shtetit e ka detyrë nr. 1 ruajtjen e arkivave, institucioneve të drejtësisë. Te PS-ja nuk kishte PS, por kishte paramilitarë. Dje shkova në protestë dhe ika kur pashë Malltezin dhe Berishën.”


