Leksione nga më të mirët.
Kështu shkruajtën mediat spanjolle, dhe kështu ngjau në duelin e madh të Championsit këtë mesjavë, mes Paris SG dhe Barcelonës.
Skuadra më në formë e kontinentit ishte përballë kampiones së dyfishtë në fuqi të Europës, e cila tregoi se mbetet më e fortë.
Të paktën, tani për tani.
Në “Stadiumin e Princave”, në kryeqytetin e Francës, PSG meritoi gjithçka në fitoren 4-2, edhe pse sfida ishte tepër e fortë dhe e paqartë deri në fund.
Due kaloi vendasit në epërsi në 38’, Espart barazoi në 55’, Lykas Ernandez riktheu avantazhin francez në 72’, përpara se Lamin Jamal të barazonte 7 minutë më vonë.
Nuk kaloi shumë, aq 120 sekonda dhe PSG arriti në 3-2 falë Vitinjës, dhe vulosi fitoren me spanjollin Fabian Ruzi në 86’.
Edhe pse Dembele u dëmtua që në fillim, dhe Kvarackelia e Markinjos dolën pas një ore lojë, edhe ata me lëndim, parizienët patën aq shumë potencial për t’ia dalë.
“Finale fatale”, – është titulli I të përditshmes katalanase “El Mundo Deportivo”, – një PSG shkatërrues, ekipi I Flikut arriti në 2-2, por u dorëzua në një duel të madh!”
“Leksionet para El Klasikos, – është analiza e të përditshmes së Madridit, “Marka”, – Parisi tregoi se skuadra azulgrana duhet të përmirësohet në disa aspekte!”
“Drithërima dhe ethe,- komenton “L’Ekip” nga Parisi, – pavarësisht nga dëmtimet e Dembelesë, Kvarackelias dhe Markinjosit, PSG arriti të shënonte në fund. Forca e këtij ekipi është impresionuese!”
Trajneri I Barcelonës, Hansi Flik, pranoi se ekipi I tij duhet të përmirësohet në disa aspekte, por siguroi se titujt nuk fitohen në tetor, veçse në maj e qershor.
Luis Enrike I PSG-së deklaroi se lojtarët e tij janë më të mirët në botë, por edhe ai theksoi se këto ndeshje nuk janë vendimtare.


