Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë një bilanc të personave të dëmtuar gjatë protestave të zhvilluara në vend, ku nga data 13 deri më 21 tetor 2026 janë raportuar gjithsej 320 persona të lënduar.
Sipas të dhënave të administruara nga strukturat shëndetësore, mes të dëmtuarve janë 192 efektivë të Policisë së Shtetit, 92 protestues dhe 36 kalimtarë. Në mesin e kalimtarëve bëjnë pjesë edhe 6 përfaqësues të medias, njëri prej të cilëve shtetas i huaj.
Sa i përket protestës së djeshme, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 6 persona, mes tyre një efektiv policie, një protestues dhe katër kalimtarë. Tre prej kalimtarëve janë shtruar për trajtim të mëtejshëm në spital, ndërsa një prej të lënduarve ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale, e cila ka përfunduar me sukses. Sipas ministrisë, gjendja e pacientit është e mirë.
Aktualisht, në Spitalin e Traumës vijojnë të jenë të shtruar 9 persona të lënduar gjatë protestës, mes tyre 4 protestues, një efektiv policie, një përfaqësuese e medias dhe 3 kalimtarë.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur dy persona, një efektiv policie dhe një protestues. Të dy kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar nga spitali që gjatë ditës së djeshme.


