“Nëse, gjatë një marshimi ose demonstrate, bashkoheni me një grup prej pesë ose më shumë personash dhe filloni të hidhni gurë, fishekzjarrë ose shkopinj – duke rrezikuar kështu sigurinë e të gjithëve – përballeni me deri në pesë vjet burg dhe një gjobë deri në 20,000 euro. Nëse fytyra juaj ishte e mbuluar ose nëse keni lënduar dikë, dënimi rritet; dënimet rriten gjithashtu për ata që përfshihen në akte shkatërrimi si pjesë e një grupi.”, u shpreh kryeministrja Meloni.
Kjo është një nga masat që qeveria italiane ka miratuar me qëllim parandalimin dhe luftimin e akteve të dhunshme dhe trazirave që përfshinë qytetet veriore të Italisë gjatë fundjavës, përfshirë kryeqytetin financiar Milanon, ku bandat kryesisht të të rinjve kryen shkatërrime masive, duke thyer dritare, duke plaçkitur dyqane dhe duke sulmuar policinë.
Duke iu referuar imazheve të dhunës që tronditën Milanon dhe qytete të tjera italiane në fundjavë, kryeministrja italiane Georgia Meloni njoftoi dekretin e miratuar nga Këshilli i Ministrave, dhe deklaroi se ato janë skena të papranueshme që askush nuk mund t’i minimizojë ose justifikojë. Meloni shpjegoi se në fuqi “Është futur një vepër e re penale: pjesëmarrja e dhunshme në një demonstratë”. Për më tepër, paraburgimi mund të zbatohet edhe për të miturit.
“Aktualisht, për një të ri të moshës midis 14 dhe 18 vjeç, Shteti duhet të provojë në çdo rast se ai ishte i aftë të kuptonte se çfarë po bënte. Ne kishim miratuar tashmë një ligj që e përmbys këtë parim, domethënë se supozohet se ai ishte i aftë të kuptonte se çfarë po bënte, përveç nëse provohet e kundërta. Ky ligj është në Parlament, por me dekretin e sotëm hyn në fuqi menjëherë, dhe paraburgimi – i cili deri më tani zbatohej vetëm për të rriturit – mund të zbatohet edhe për të miturit”, tha ajo.
Pjesë e paketës së masave të qeverisë italiane për aktet e dhunshme në protesta është edhe parimi “kush dëmton, paguan”.
“Nëse e prish, do të paguash për të – dhe nëse personi që e prish është i mitur, do të paguajnë prindërit e tij”, shtoi Meloni.
Por si do të funksionojë?
“Nëse dëmi është në pronë publike – siç është një stacion autobusi, një semafor ose një automjet policie – prefekti do të dërgojë një urdhër pagese në shtëpinë e individit. Nëse dëmi është në pronë private – siç është një vitrinë dyqani, një dyqan ose një makinë – pronari mund t’i drejtohet një gjyqtari dhe të marrë një urdhër gjykate që zbatohet menjëherë.”, nënvizoi Meloni.
Kryeministria Meloni konfirmoi vendosjen e 500 trupave shtesë ushtarak në Milano deri në fund të vitit. Për më tepër, sipas saj, do të ketë edhe një rritje të numrit të magjistratëve dhe vendeve në qendrat e paraburgimit për të mitur.


