Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Të rinjtë t’i kthehen tokës”/ Julvin Marku fton fermerët të investojnë, apelon edhe për më shumë mbështetje për bujqësinë

schedule22:34 - 20 Tetor, 2026

schedule 22:34 - 20 Tetor, 2026

Julvin Marku ka një synim përtej parcelës së tij me lajthi në Fushë-Krujë, krijimin e një zone ku kjo kulturë bujqësore të përhapet edhe te fermerët e tjerë.

Pas tetë vitesh përvojë, ai dëshiron të ndajë njohuritë e fituara dhe të nxisë banorët e zonës që të investojnë në kultivimin e lajthisë. Për këtë arsye, ai shprehet i gatshëm t’u ofrojë falas fidanë personave që dëshirojnë të nisin këtë aktivitet.

Nisma e tij vjen pas një rrugëtimi që nuk ka munguar të përballet me vështirësi, nga gabimet e para në mbjellje deri te dëmtimet e prodhimit dhe ndikimi i thatësirës.



“Do të vetëofrohesha që banorët e tjerë, kush të dëshirojë, të vijë të marrë fidanë falas këtu, të ndërtojmë fshatin e lajthive”, shprehet Julvin Marku në emisionin “Toka Jonë” në ABC News.

Për të, përhapja e kësaj kulture do të ishte një mundësi për të nxitur zhvillimin e bujqësisë në zonë dhe për të treguar se edhe të rinjtë e arsimuar mund të ndërtojnë një aktivitet ekonomik duke u marrë me tokën.

Megjithatë, ai thekson se një nga pengesat kryesore mbetet vaditja. Sipas tij, funksionimi i kanaleve vaditëse do t’i ndihmonte fermerët të përballonin periudhat e thata dhe të siguronin prodhim më të qëndrueshëm.

“Vaditja është problemi më i madh. Do të ishte mirë nëse kanalet vaditëse do të ishin funksionale. Verës nuk kemi ujë, ndërsa dimrit kemi përmbytje. Do të ishte mirë nëse institucionet do të na jepnin një dorë”, thotë ai.

Krahas bujqësisë, Julvini vijon të punojë edhe në fushën e informatikës, duke u përpjekur të mbajë të dy profesionet. Por dëshira e tij është që aktiviteti me lajthi të zgjerohet dhe të kthehet në një mundësi edhe për brezin e ri.

Ai shpreson që edhe djali i tij, Aleksandri, të vijojë një ditë këtë aktivitet familjar dhe ta çojë më tej.

Nga një ide e lindur gjatë viteve të universitetit, te synimi për të krijuar një “fshat të lajthive”, Julvin Marku kërkon që përvoja e tij të shërbejë si nxitje për të tjerët që t’i kthejnë sytë nga toka.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!