Një konkurs biznesi i ndryshoi drejtimin e së ardhmes. Julvin Marku, nga Fushë-Kruja, nisi kultivimin e lajthive tetë vite më parë, kur ishte ende student i informatikës.
Ajo që në fillim dukej si një nismë e thjeshtë, sot është kthyer në një aktivitet bujqësor që ai e zhvillon paralelisht me profesionin e tij.
Historia e Julvinit vjen në emisionin “Toka Jonë” në ABC News. Ai tregon se ideja për t’u marrë me bujqësi lindi pasi mori pjesë në një konkurs biznesi të organizuar nga një organizatë ndërkombëtare, ku doli fitues.
Zgjedhja e lajthisë nuk ishte e rastësishme. Duke qenë se ndiqte studimet për informatikë, Julvini kërkonte një kulturë bujqësore që të mos i kërkonte shumë kohë. Por përvoja e parë në parcelë i tregoi se bujqësia kërkon njohuri, përkushtim dhe durim.
“Nisja ka qenë në vitin e parë të universitetit, një nismë djaloshare. Kur e shoh sot, do ta mendoja dy herë nëse do ta nisja apo jo. Por ia vlen, është me leverdi”, tregon ai për “Toka Jonë”.
Viti i parë nuk shkoi siç e kishte parashikuar. Mungesa e informacionit të duhur dhe gabimet në mbjellje i shkaktuan dëme në parcelë, duke e bërë të kuptonte se përvoja është thelbësore për suksesin në bujqësi.
Në fillim, as mbështetja nga familja dhe komuniteti nuk ishte e plotë. Vendimi i një të riu të arsimuar për t’u marrë me bujqësi shihej me skepticizëm, ndërsa Julvini duhej të gjente mënyrën për të mbajtur bashkë dy profesione.
Sot, ai vazhdon të punojë në informatikë dhe të kujdeset për parcelën me lajthi, ku është përfshirë edhe familja e tij.
Pas tetë vitesh përvojë, Julvini thotë se do ta niste sërish këtë rrugëtim, por këtë herë me më shumë njohuri. Madje, ai dëshiron që përvoja e tij të shërbejë edhe për banorët e tjerë të zonës, duke i nxitur të investojnë në kultivimin e lajthisë.
Historia e tij është një shembull i një të riu që ka zgjedhur të mos i kthejë shpinën tokës, edhe kur bujqësia nuk ka qenë profesioni i tij i parë.


