TIRANË– Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar masat e paralajmëruara nga kryeministri për kufizimin e disa të drejtave për personat që përfshihen në akte dhune gjatë protestave.
Balla u shpreh se masa të ngjashme po diskutohen apo zbatohen edhe në disa vende europiane, duke sjellë si shembull rastin e studentëve që përfshihen në akte dhune ndaj institucioneve nga të cilat përfitojnë. Ai theksoi se masat janë ende në diskutim nga qeveria dhe se një komunikim më i qartë pritet të bëhet ditën e nesërme.
“Kryeministri sot ka bërë me dije disa masa që janë të ngjashme dhe që po merren në disa vende europiane lidhur me kufizimin e disa të drejtave për disa persona që angazhohen në akte dhune. Nëse një student i vë flakën Ministrisë së Arsimit, edhe pse penalisht nuk do të ndiqet, besoj se disa përfitime nuk do t’i ketë më. Nëse trajtohesh me bursë nga Ministria e Arsimit dhe përfshihesh në akte dhune kundër saj, minimalisht këtë bursë nuk do ta përfitosh më. Këto janë diskutime ende të qeverisë. Nuk jam i informuar se çfarë është duke diskutuar qeveria. Nesër do të kemi një komunikim më të qartë të të gjitha këtyre masave. Gjithçka është pjesë e diskutimeve. Personalisht mund të them se të gjithë ata që përfshihen në akte dhune duhet të kuptojnë se nuk do të përfitojnë disa liri që i kanë shkelur”, tha ai në “Real Story”.
Ai kritikoi prokurorinë dhe gjykatën, të cilat sipas tij nuk po veprojnë sipas ligjit.
“E gjitha kjo vjen në kushtet kur ka një prokurori dhe një gjykatë që nuk vepron. Në ligjin e tubimeve, një prej neneve thotë se ndalohet pjesëmarrja në tubime me maskë dhe kjo dënohet me gjobë deri në dy vjet burg. Kush e ka zbatuar këtë nga prokuroritë dhe nga gjykatat? Të gjithë ata që shkojnë me maskë aty janë duke thyer ligjin. Minimalisht me gjobë. Këtu po vidhen banka, po vidhen dyqane, po shkatërrohet prona publike dhe prona private. Një person i caktuar po kryen katër apo pesë vepra penale njëkohësisht”, tha ai.


