Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Shpërblimi për efektivët/ Miratohet VKM-ja, sa policë përfitojnë

schedule20:58 - 19 Tetor, 2026

schedule 20:58 - 19 Tetor, 2026

Qeveria ka miratuar fondin për shpërblimin financiar të 2 750 punonjësve të Policisë së Shtetit, në vlerësim të angazhimit të shtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë protestës, e cila vijon prej një jave.

Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, shuma prej 740 080 000 lekësh do t’i shtohet buxhetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zërin e shpenzimeve korrente të programit buxhetor “Policia e Shtetit”. Efekti financiar do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, të miratuar për vitin 2026.

Vendimi ngarkon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit me përcaktimin e listës emërore të përfituesve, bazuar në dokumentacionin justifikues, si dhe me kryerjen e procedurave për dhënien e shpërblimit.



Shpërblimi vjen në një kohë kur efektivët e Policisë së Shtetit vijojnë të përballen me situata të tensionuara gjatë protestave, ku janë raportuar edhe akte dhune ndaj uniformave blu.

Vendimi:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënie shpërblimi financiar në masën prej 269 120 (dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet) lekësh për 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) punonjës të Policisë së Shtetit për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike.

2. Në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zërin “Shpenzime korrente” të programit buxhetor “Policia e Shtetit”, shtohet fondi prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh.

3. Efekti financiar, në shumën prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh, që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2026.

4. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit përcakton listën emërore të punonjësve të policisë përfitues bazuar në dokumentacionin justifikues dhe kryen procedurat për dhënien e shpërblimit.

5. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!