Eksperti Faik Basha ka komentuar situatën e trazirave në Europë, duke u ndalur te masat që po shqyrtohen nga Italia dhe Franca, koordinimi mes liderëve europianë dhe rreziku i asaj që ai e cilëson si luftë hibride.
Basha u shpreh se Italia po shqyrton mënyrat për t’u përballur me trazirat, të cilat, sipas tij, përbëjnë një situatë të paprecedentë në Europë.
Eksperti theksoi se, ndërsa mbështetja për dialogun mbetet e rëndësishme, duhet të merren masa ndaj personave që ushtrojnë dhunë ose synojnë të përfitojnë nga protestat. Ai shtoi se liderët europianë, sipas tij, kanë mbajtur qëndrime të koordinuara.
Basha ngriti shqetësimin për atë që e cilësoi si luftë hibride, duke argumentuar se ajo nuk zhvillohet domosdoshmërisht përmes ushtrive tradicionale, por mund të veprojë edhe brenda një vendi, duke përfshirë aktorë të brendshëm.
“ Sot Italia është duke menduar si t’i bëjë ballë këtyre trazirave që nuk janë parë në Europë. Franca dhe Macron kanë mbajtur një fjalim të gjatë për masat që do të merren dhe autorët e dhunës. Masa duke përfshirë të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë, kanë grabitur, kanë djegur. Macron kishte urdhëruar të ngrihej shtabi i emergjencës për t’i dhënë një goditje të përbashkët, që nga mbështetja e bizneseve e deri te qytetet. Europa është bashkë, nuk kemi të bëjmë me një zemërim qytetar që kërkon largimin e një qeverie.
Të gjithë janë pro dialogut dhe liderët europianë kanë qenë në një gjuhë, pro njëri-tjetrit. Ka një koordinim mes tyre. Kemi të bëjmë me luftën hibride që nuk bëhet me ushtarë, por brenda vendit, me ushtarë të vendeve tona.”


