“Lahuta e Malcisë”, në Lezhë, në tokën e Gjergj Fishtës, nuk i shpëtoi vandalizmit gjatë protestës së të ashtuquajturës studentore.
Memoriali kushtuar një prej veprave më të rëndësishme të letërsisë sonë, e cilësuar ndryshe si “Iliada shqiptare”, u kthye në objekt vandalizmi nga një grup të rinjsh, në dukje jo më shumë se 15 vjeç.
Të ngjitur mbi monumentin në formën e një libri, ata shihen duke kërcyer mbi instalacion dhe duke e shkelmuar, pa marrë parasysh se përballë tyre nuk është thjesht një strukturë në shesh, por një simbol i identitetit kulturor të qytetit dhe i trashëgimisë kombëtare.
Vepra e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare përfundon kështu nën këmbët e të rinjve, që në emër të protestës shkatërrojnë atë që përfaqëson kujtesë dhe identitet.
Pamje të trishta, veçanërisht kur bëhet fjalë për të rinj në moshë shkollore.
Për t’i zbritur nga monumenti dhe për të shmangur dëmtime të mëtejshme, u desh ndërhyrja e punonjësve të Policisë Bashkiake të cilët biseduan me të rinjtë derisa i bindën të largoheshin.


