Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u ka dërguar një mesazh mbështetës efektivëve të policisë, të cilët prej shtatë ditësh po përballen me situata të vështira dhe akte dhune gjatë protestave.
Në letrën e tij, Hita shpreh mirënjohjen dhe respektin për punonjësit e policisë, duke vlerësuar përkushtimin e tyre në krye të detyrës. Ai thekson se shumë efektivë janë lënduar gjatë këtyre përballjeve dhe u uron shërim të shpejtë kolegëve të plagosur.
Kreu i Policisë së Shtetit nënvizon se asnjë sulm ndaj uniformave blu nuk është i pranueshëm dhe se aktet e dhunës nuk mund të justifikohen. Njëkohësisht, ai u kërkon efektivëve të vijojnë detyrën me profesionalizëm, guxim dhe vendosmëri, duke respektuar ligjin dhe dinjitetin e çdo qytetari. “Nuk do të jeni vetëm”, u shpreh Hita, duke i siguruar punonjësit e policisë për mbështetjen e tij në përballimin e sfidave.
LETËR E HAPUR PËR PUNONJËSIT E POLICISË SË SHTETIT
Të dashur kolegë,
Prej gjashtë ditësh po përballeni me situata të vështira, me orë të gjata shërbimi, tension dhe akte të rënda dhune. Shumë prej jush janë lënduar në krye të detyrës.
Sot dua t’ju shpreh personalisht mirënjohjen, respektin dhe mbështetjen time të plotë.
E di se pas çdo uniforme është një njeri, një prind, një bashkëshort, një bir apo një bijë, që dikush e pret me shqetësim në shtëpi.
Asnjë sulm ndaj jush nuk është i pranueshëm. Asnjë akt dhune nuk mund të justifikohet.
Ju kërkoj të vijoni detyrën me profesionalizëm, qetësi dhe vendosmëri, duke respektuar në çdo moment ligjin dhe dinjitetin e çdo qytetari.
U uroj shërim të shpejtë kolegëve të plagosur dhe ju siguroj se nuk do të jeni vetëm në përballimin e këtyre sfidave.
Jam krenar për çdo punonjës policie që i shërben vendit me ndershmëri dhe përkushtim.
Qëndroni të fortë, të bashkuar dhe besnikë ndaj misionit tuaj.
Me respekt dhe mirënjohje,
Skënder Hita
Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit


