Megjithëse vuante një masë sigurie “arrest në burg” të Gjykatës për Krimet e Rënda, Nezar Seiti, i dyshuar si financier i grupit të Habilajve u ekstradua në Itali. Ekstradimi i tij është miratuar nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për llogari të një urdhër-arresti të lëshuar ndaj tij nga gjykata e Katanias në 12 Tetor 2017. Ndërkohë, Seiti ka llogari të hapura edhe me drejtësinë shqiptare. Ai po hetohet për akuzën e “trafikut të narkotikëve”.
Për ekstradimin nuk kanë pasur dijeni prokurorët e Krimeve të Rënda dhe as avokati i tij mbrojtës, Detar Hysi. Ky i fundit është vënë në dijeni nga vetë klienti, pak para se ai të shoqërohej drejt Rinasit. Nga ana tjetër vetëm pak ditë më parë, gjykata zgjati afatin e hetimit për Seitin me 3 muaj të tjerë.
I akuzuari i autoriteteve italiane si personi që kujdesej për financat e Habilajve u transportua në masa të forta sigurie nga paraburgimi “313” deri në aeroport, bazuar në urdhërimin e Ministrisë së Drejtësisë, ku iu është dorëzuar autoriteteve të Interpol Romës. Avioni me të në bord u ngrit nga pista rreth orës 12:20.
Përmes një njoftimi për shtyp të shpërndarë për median në orët e mbrëmjes, Ministria e Drejtësiësë, këmbënguli se në rastin në fjalë janë ndjekur me përpikmëri të gjitha procedurat e parashikuara në ligj dhe Konventës Europiane të Ekstradimit. Ministria theksonte se kishte miratuar ekstradimin, pasi nuk kishte patur asnjë informacion apo akt tjetër procedurial nga Prokuroria e Përgjithshme si dhe nga gjykata për ekzistencën e ndonjë pengese të mundshme ligjore për ekstradimin e Seitit.
Vendimi gjyqësor që lejoi ekstradimin e Seitit mori formë të prerë në 29 dhjetor të vitit të kaluar. Ai u arrestua ne tetor 2017 në Babicë të Vlorës në një operacion, ku u kapën 4 ton kanabis, që dyshohet se i përket grupit të Habilajve./abcnews.al