Avokati Idajet Beqiri ka bërë deklarata të forta lidhur me dhunën gjatë protestave në Tiranë, duke kërkuar përfshirjen e SPAK-ut dhe të gjykatës për të hetuar atë që ai e cilëson si vepër penale të kryengritjes së armatosur.
Ai vlerësoi punonjësit e Policisë së Shtetit për përballjen me situatën e krijuar gjatë protestave, duke i cilësuar ata si heronj dhe duke kërkuar që të trajtohen në mënyrë të denjë, përfshirë edhe pagat që, sipas tij, meritojnë.
Avokati argumentoi se aktet e dhunës duhet të trajtohen me seriozitet nga organet e drejtësisë dhe ngriti pikëpyetje për mënyrën se si SPAK-u heton çështje të tjera penale, ndërsa sipas tij, përballë akteve të dhunshme në protesta kërkohet një reagim i fortë institucional.
Beqiri theksoi se gjykata dhe SPAK-u duhet të përfshihen në shqyrtimin e ngjarjeve, për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore për aktet e dhunës.
“Serbia është ulur këmbëkryq tek ne. Grushtin e shtetit në ’98 e bënë serbët. Është agresion, ata policë janë heronj dhe meritojnë trajtim të shkëlqyer. Duhet të marrin pagat që meritojnë. Kjo është vepër penale e kryengritjes së armatosur, bëhet nga organizatë kriminale. Në Shqipëri, SPAK-u merr për grup kriminal 3 veta në fshat sepse kanë kultivuar bimë narkotike.
Po i merr për kalim të jashtëligjshëm të kufirit. Ndërkohë, këta me një armatim të jashtëzakonshëm. Dje u dogjën policë, ajo armë që hedh armët aty një kushton 42 mijë e 900 euro. Duhet të merren gjykata dhe SPAK-u. Nuk duhet të shkojnë në Prokurori.”


