Zëvendëskryeministrja Klodiana Spahiu ka reaguar për dhunën e shënuar gjatë protestës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke e cilësuar atë të papranueshme dhe të pajustifikueshme.
Ajo theksoi se e drejta për të protestuar është një parim themelor i demokracisë, por kjo e drejtë nuk mund të përdoret për të justifikuar aktet e dhunës.
Më tej, zëvendëskryeministrja nënvizoi se asnjë kauzë, bindje apo interes politik nuk mund të justifikojë dhunën ndaj efektivëve që kanë për detyrë të garantojnë rendin dhe sigurinë publike. Në përfundim të reagimit, Spahiu e mbylli mesazhin me thirrjen: “Ndal dhunës ndaj Policisë së Shtetit!”
Reagimi i plotë:
E papranueshme dhe e pajustifikueshme ajo që po ndodh sot në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”!Dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit duhet dënuar me forcë, pa asnjë ekuivok dhe pa standarde të dyfishta!
Pres nga çdo aktor publik apo politik, nga mediat dhe nga shoqëria në tërësi, një qëndrim të qartë dhe të përgjegjshëm. Është koha për t’u distancuar menjëherë nga dhuna, jo për ta relativizuar atë për llogari politike!
Të mbrosh të drejtën e protestës është detyrim demokratik. Të dënosh dhunën është përgjegjësi qytetare, morale dhe shtetërore.
Demokracia nuk mbrohet duke goditur ata që kanë detyrën të garantojnë rendin dhe sigurinë e të gjithëve!
Asnjë kauzë, asnjë bindje dhe asnjë interes politik nuk mund të justifikojë dhunën!
NDAL DHUNËS NDAJ POLICISË SË SHTETIT!


