Bashkimi Europian po përballet me një nga valët më të ashpra të polarizimit politik në vitet e fundit. Manifestimet e ditëve të fundit në së paku pesë vende anëtare të unionit kanë degjeneruar në dhunë, ku përplasjet mes grupeve të majta radikale, aktivistëve ekstremistë dhe forcave të rendit kanë krijuar situata alarmante për sigurinë publike.
Sipas raporteve zyrtare nga agjencitë e zbatimit të ligjit, skena të ngjashme dhune dhe destabilizimi janë regjistruar pothuajse njëkohësisht në disa nga qendrat kryesore të Europës. Protestat kanë përfshirë disa nga shtetet me peshën më të madhe politike dhe ekonomike në BE.
Francë – Vendi po përballet me një krizë të madhe kombëtare dhe protesta masive të përhapura në të gjithë vendin (përfshirë Parisin, Marsejën dhe Nantwn). Protestat filluan nga studentët dhe mësuesit për shkak të kushteve të këqija dhe mungesës së fondeve në shkolla, por tashmë u janë bashkuar sindikatat, fermerët, taksitë dhe lëvizja e “Jelekëve të Verdhë”. Ata protestojnë fuqishëm kundër krizës së kostos së jetesës dhe rritjes së çmimeve të karburanteve, duke shkaktuar përplasje të dhunshme me policinë.
Itali- Mijëra studentë kanë dalë në rrugët e qyteteve kryesore si Roma, Torino dhe Verona. Ata po marshojnë përpara Ministrisë së Arsimit për të kundërshtuar politikat qeveritare, mungesën e fondeve në arsim dhe për të kërkuar kushte më të mira studimi.
Spanjë- Të gjitha qytetet kryesore, me në krye Madridin, janë përfshirë nga protesta masive kundër krizës së strehimit. Qytetarët po protestojnë kundër rritjes abuzive të qirave dhe dështimit të ligjit të ri për strehimin urgjent, situatë e cila e detyroi kryeministrin Pedro Sánchez të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Belgjikë- Janë regjistruar manifestime të rëndësishme nga të rinjtë dhe grupet sociale, të cilët ndiejnë të njëjtin zhgënjim ndaj qeverive sa i përket mundësive të punësimit dhe rritjes së kostove të përgjithshme.
Greqi- Manifestimet tradicionale të grupeve anarkiste e të majta shoqëruan aktivitetin e tyre me hedhjen e koktejve molotov ndaj ndërtesave publike dhe djegien e automjeteve.
Prej 5 ditësh protesta të dhunshme janë regjistruar edhe në Shqipëri, kryesisht në kryeqytet, të cilat janë shoqëruar me persona të dëmtuar, arrestime, apo edhe shkatërrim të pronës private.


