Më shumë se 200 lëkundje pasuese janë regjistruar në Panama pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.7, që goditi vendin të premten, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe infrastrukturë. Përballë situatës, qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Deri më tani nuk raportohen viktima, ndërsa 27 persona kanë mbetur të plagosur dhe rreth 900 banesa janë dëmtuar. Vlerësimi i plotë i pasojave vijon, veçanërisht në zonat e largëta, ku dëmet mund të jenë më të mëdha nga sa është konstatuar deri tani.
Sipas Nestor Luque, drejtor i institutit universitar të gjeoshkencës në Panama, lëkundjet pasuese po bëhen më të dobëta dhe intervalet mes tyre po zgjaten.
“Ne kemi regjistruar tashmë më shumë se 200 lëkundje pasuese, por magnituda e tyre po zvogëlohet dhe intervalet midis tyre po rriten”, deklaroi Luque për agjencinë Reuters.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë premtuar 5 milionë dollarë ndihmë për vendin dhe po dërgojnë një ekip prej 20 anëtarësh për të mbështetur operacionet e shpëtimit dhe inspektimin e infrastrukturës së dëmtuar. Lajmi u bë i ditur nga ambasadori amerikan në Panama, Kevin Mariño Cabrera.
Presidenti i Panamasë, José Raúl Mulino, ka vizituar disa prej zonave të prekura, duke theksuar nevojën për riparimin urgjent të rrugëve dhe urave, me qëllim lehtësimin e transportit dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Të paktën 14 ura në provincat Veraguas dhe Los Santos kanë pësuar dëme të rënda, duke shtuar vështirësitë për banorët dhe ekipet e emergjencës.
Autoritetet vijojnë vlerësimin e situatës dhe punën për rikthimin e infrastrukturës jetike, ndërsa vendi përballet me pasojat e tërmetit dhe rrezikun nga lëkundjet pasuese.


