Policia indiane ka ndaluar më shumë se 2 mijë protestues në kryeqytetin Nju Delhi, si dhe drejtuesin e lëvizjes rinore “Cockroach”, gjatë një operacioni për të penguar një protestë që kërkonte dorëheqjen e kreut të Komisionit Zgjedhor të Indisë, Gyanesh Kumar.
Autoritetet vendosën masa të forta sigurie në pjesë të kryeqytetit, duke angazhuar mijëra efektivë policie dhe forca paramilitare. Shërbimet e internetit në telefonat celularë u pezulluan në zonën qendrore të biznesit, ndërsa dhjetëra stacione metroje dhe tregje u mbyllën për të parandaluar grumbullimin e protestuesve.
Demonstrata ishte organizuar nga lëvizja “Cockroach”, e cila synonte të mblidhte mijëra persona në zonën e Jantar Mantar, në qendër të Nju Delhit. Megjithatë, forcat e sigurisë e bllokuan zonën përpara se protesta të niste.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Kumarit për shkak të ndryshimeve në listat zgjedhore, të cilat, sipas kritikëve, favorizojnë partinë në pushtet, Bharatiya Janata Party (BJP), të kryeministrit Narendra Modi. Sipas një zyrtari të Ministrisë së Brendshme, më shumë se 2 mijë persona u ndaluan në Nju Delhi. Ndërkohë, mediat lokale raportuan se rreth 400 protestues u ndaluan edhe në Mumbai, qendra financiare e vendit.
Pavarësisht masave të sigurisë, protesta të vogla u zhvilluan në disa zona të kryeqytetit, ku demonstruesit kërkuan largimin e kreut të Komisionit Zgjedhor. Mes të ndaluarve ishte edhe Abhijeet Dipke, themeluesi i Partisë “Cockroach Janta”, së bashku me drejtuesit e tjerë të lëvizjes, Saurav Das dhe Ashutosh Ranka. Ata u ndaluan pasi avioni me të cilin po udhëtonin nga Mumbai mbërriti në Nju Delhi.
Përfaqësuesit e lëvizjes deklaruan se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, deri në dorëheqjen e Kumarit.
Gjatë operacionit u ndaluan gjithashtu disa figura të opozitës, mes tyre ish-kryeministrja e Bengalit Perëndimor, Mamata Banerjee, ish-kryeministri i Delhit, Arvind Kejriwal, dhe ish-kryeministri i Keralës, Pinarayi Vijayan. Sipas raportimeve, policia ndaloi përkohësisht edhe disa gazetarë që po mbulonin protestat.
Protestat përbëjnë një sfidë të rëndësishme politike për kryeministrin Modi, pasi opozita akuzon autoritetet zgjedhore se kanë ndryshuar në mënyrë të padrejtë listat e votuesve përpara zgjedhjeve të fundit rajonale. Debati u intensifikua pas një raportimi të gazetës “Indian Express”, sipas të cilit dy komisionerë zgjedhorë kishin ngritur shqetësime për rishikimin e listave, nga të cilat janë hequr rreth 130 milionë emra.
Të dhënat e Komisionit Zgjedhor tregojnë se gjatë procesit të verifikimit janë hequr rreth 63 milionë emra të personave që ishin zhvendosur, 30 milionë persona që nuk ishin gjetur dhe 28 milionë persona që kishin ndërruar jetë.
Komisioni Zgjedhor dhe partia BJP i kanë mohuar akuzat për shkelje. Autoritetet zgjedhore kanë deklaruar se personat që plotësojnë kushtet për të votuar, por që janë hequr gabimisht nga listat, mund të regjistrohen sërish.
Ndërkohë, opozita pretendon se këto ndryshime kanë ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit rajonale, të fituara nga partia e Modit. Tensionet vijnë disa muaj përpara një serie zgjedhjesh të rëndësishme rajonale që pritet të nisin në fillim të vitit 2027.


