KOSOVË- Dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Livoç të Ulët të Gjilanit, të premten. I dyshuari për ngjarjen është dorëzuar në Polici.
Sipas njoftimit të Policisë, në vendin e ngjarjes, brenda një veture, është gjetur i vdekur një burrë rreth 30 vjeç. Ndërkohë, një grua e së njëjtës moshë është dërguar në Spitalin e Gjilanit pa shenja jete.
Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas Policisë, dyshohet se mes të dyshuarit dhe viktimave ka lidhje familjare. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë i ditur motivi që çoi në këtë ngjarje të rëndë.
Pas incidentit, i dyshuari është dorëzuar te autoritetet, ndërsa Policia ka sekuestruar edhe armën që dyshohet se është përdorur në rast.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes janë në vijim.


