Me këmbë në tokë dhe me pak fat, Shqipëria mund të jetë anëtare e BE brenda 2030. Duke prezantuar strategjinë e re të zgjerimit, Marta Kos në Parlamentin Europian zbuloi objektivin realist të Brukselit.
“Ëndrra ime, në fakt tani nuk duket dhe aq ëndërr, por me këmbë në tokë, është që unë të shoh të kemi të paktën 2 deri në 3 vende të anëtarësuara në BE brenda 2030. Nëse ato e meritojnë”, tha Marta Kos.
Në Komisionin e Jashtëm të PE, eurodeputetët nuk kishin shumë kundërshtime për ecurinë e vendeve kandidate. Vetëm një eurodeputete e majtë franceze u ankua për projektin e Jared Kushner në Zvërnec. Përgjigjja e Marta Kos la të kuptohet se flamingot nuk rrezikojnë dot integrimin e Shqipërisë në BE.
“Sigurisht, edhe ne jemi në dijeni të të ashtuquajturit projekt të Kushner në Shqipëri. Ndaj ne po i kërkojmë qeverisë shqiptare që të përshtatë të gjithë legjislacionin mjedisor shqiptar me atë të BE-së”, u shpreh ajo.
Debatet më të forta ndërkohë janë brenda BE-së. Disa vende nuk duan të heqin dorë nga pushteti i vetos.
“Ka pasur reagime të ndryshme. Disa prej tyre duan të kontribuojnë në këtë mekanizëm më eficient, disa të tjerë janë shumë në favor që ende të përdorin unanimitetin, sa më shumë që të jetë e mundur. Ne nuk duam të eliminojmë unanimitetin, sugjerojmë disa kufizime, që mund të jenë më efektive”, shtoi Marta Kos.
Por, çfarë do t’u kushtonte europianëve anëtarësimi i Shqipërisë? Një kafe europiane me çmim shqiptar.
“Por le të flasim troç, Mali i Zi është 650 mijë banorë, pothuajse sa Shtutgarti apo Tuluza. Kjo do na kushtojë ne rreth 380 deri në 420 milionë euro. Nga ana tjetër, do të shohim se sa do të kontribuojë Mali i Zi për BE. Pra, me pak fjalë, më pak se 1 euro për qytetar europian, çdo vit. Ne mund ta përballojmë këtë. E njëjta gjë për Shqipërinë, e njëjta gjë edhe për Moldavinë”, tha ajo.
/abcnews.al/


